BE përgatit çështjen ligjore kundër AstraZeneca mbi mungesat e vaksinave në Evropë
Komisioni Evropian po punon për procedurat ligjore kundër AstraZeneca, pasi prodhuesi i ilaçeve ndërpreu dërgesat e vaksinave Covid-19 në Bashkimin Evropian, thanë burimet e njohura me këtë çështje.
Ky veprim do të shënonte një hap të mëtejshëm në planin e BE-së për të ndërprerë lidhjet me kompaninë anglo-suedeze, pasi ajo ndërpreu në mënyrë të përsëritur furnizimet me vaksina, duke kontribuar në vonesa të mëdha në përhapjen e vaksinave në Evropë.
Lajmi në lidhje me çështjen ligjore u raportua së pari nga Politico. Një zyrtar i BE i përfshirë në bisedime me prodhuesit e vaksinës konfirmoi se autoritetet në Bruksel po përgatiteshin të padisnin kompaninë.
"Shtetet e BE duhet të vendosin nëse ata do të marrin pjesë. Ka të bëjë me përmbushjen e dërgesave deri në fund të tremujorit të dytë," tha zyrtari.
Çështja u diskutua të mërkurën, më 21 prill në një takim me diplomatët e BE, ku shumica e shteteve të BE mbështetën veprimin ligjor, thanë dy diplomatë për Reuters.
Sidoqoftë, Gjermania dhe Franca, kërkuan më shumë kohë për të menduar mbi lëvizjen e mundshme, thanë diplomatët.
"Ajo që ka rëndësi është që ne të sigurojmë shpërndarjen e një numri të mjaftueshëm të dozave në përputhje me angazhimet e mëparshme të kompanisë," tha një zëdhënës i komisionit në një deklaratë me email.
"Së bashku me vendet anëtare, ne po shikojmë të gjitha opsionet për ta bërë këtë të ndodhë."
Më vonë zëdhënësi tha në një konferencë shtypi: "Asnjë vendim nuk është marrë ende në lidhje me këtë veprim ligjor."
Një zëdhënës i AstraZeneca tha se kompania nuk ishte në dijeni të ndonjë procedure ligjore "dhe vazhdon të mbajë diskutime të rregullta mbi furnizimin me komisionin dhe vendet anëtare".
Brukseli në mars i dërgoi një letër ligjore kompanisë në hapin e parë të procedurave të mundshme gjyqësore.
Zëdhënësi nuk dha hollësira, por detajet e letrës botuar nga gazeta italiane 'Corriere della Sera' tregojnë se BE po kërkonte sqarime mbi atë që e konsideroi një aplikim të vonuar në rregullatorin e BE për miratimin e vaksinës.
Brukseli gjithashtu vuri në dyshim mënyrën se si AstraZeneca shpenzoi më shumë se 224 milion euro (270 milion dollarë) të dhëna nga BE në shtator për të blerë përbërës të vaksinës dhe për të cilat blloku tha se kompania nuk kishte siguruar dokumente të mjaftueshme që konfirmojnë blerjet.
Sipas kontratës, kompania ishte zotuar të bënte "përpjekjet e saj më të mira" për të shpërndarë në BE 180 milion doza vaksinash në tremujorin e dytë, për një total prej 300 milionësh në periudhën nga dhjetori në qershor.
Por kompania tha në një deklaratë në 12 mars se do të synonte të jepte vetëm një të tretën e kësaj. Letra e BE u dërgua një javë pas asaj deklarate.
Sipas kontratës, palët ranë dakord që gjykatat belge do të ishin përgjegjëse për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të pazgjidhura.
