Bashkitë, emërime kundër ligjit, 890 punonjës në shkelje të procedurave gjatë vitit 2020
Qindra emërime në administratat e bashkive janë kryer në kundërshtim me ligjin gjatë vitit 2020.
Komisioneri për Mbikqyrjen e Shërbimit Civil konstaton se për 890 vende pune bashkitë kanë shkelur ligjin nëpërmjet emërimeve të përkohshme duke mos respektuar procedurat e konkurrimit.
Duke krahasuar rastet e emërimeve të kryera gjatë kësaj periudhe, gjithsej 1mije e 200 emërime, me numrin e pozicioneve të lira, gjithsej 1 mije e 800, vlerësohet se plani vjetor i rekrutimit për institucionet e vetëqeverisjes vendore, është realizuar në masën 64%.
Përveç emërimeve të paligjshme, Komisioneri ngre edhe shqetësimin e largimeve të padrejta nga puna.
Në raportin që i është dorëzuar Kuvendit në fund të muajt mars thuhet se deri në fund të dhjetorit 2020, për 61 bashki janë evidentuar 222 vendime gjyqësore, në favor të nëpunësve, të cilët kanë fituar të drejtën për tu rikthyer në shërbimin civil, nga këto 143 vendime që kanë marrë formë të prerë.
Gjatë vitit të shkuar pranë Komisionerit për Mbikqyrjen e Shërbimit Civil janë regjistruar 150 ankesa nga nënpunësit, kryesisht për shkelje të procedurës për transferim të përkohshëm, moszbatim të vendimit gjyqësor të formës së prerë, refuzim deklarimi të statusit etj.