Gladbach emëron Hutter, lë Eintrachtin pa trajner

Në Bundesliga po bëhet një xhiro trajnerësh që filloi që në dhjetor ku në mes të sezonit Dortmundi njoftoi se Marco Rose, trajneri aktual i M’Gladbach do të jetë në krye të skuadrës për vitin e ardhshëm.

Një lëvizje e tillë nuk i pëlqeu drejtuesve që prej kohësh po kërkojnë një timonier dhe në fund kanë arritur të marrin nga Eintracht Frankfurt trajnerin austriak, Adi Hutter. Në këtë mënyrë ekipi më i penalizuar këtu mbetet Eintracht që pikërisht në fundjavë do të përballet me Borussia M’Gladbach të cilët vodhën trajnerin e tyre.

Hutter ka patur mjaft sukses në 3 vite me Eintrachtin ku zëvendësoi Niko Kovaç në 2018 duke i kualifikuar në Europa League madje edhe në gjysmëfinalen e këtij kompeticioni.

Tekniku austriak ka një mesatare prej 1.58 pikësh në Bundesliga me 42 fitore, 26 barazime dhe 28 humbje në 96 ndeshje në total dhe tani do të ketë misionin (duke nisur nga Korriku) për të ngritur M’Gladbach e për ta mbajtur në mënyrë konstante mes 4 skuadrave të para në Bundesliga.