Kupa, Brdariç: Ndaj Laçit, një finale për Europën
Pas kampionatit do të jetë sërish një sfidë Vllaznia-Laçi dhe kësaj radhe do të jetë për një vend në finalen e Kupës së Shqipërisë. Të dyja skuadrat do të përballen në “Loro Boriçi” dhe do të jetë gjysmëfinale me eliminim që të çon direkt në finale dhe për trajnerin Brdariç kjo sfidë vlen si e tillë.
“Kjo është një mundësi për Europën, është një finale. I kemi të gjitha mundësitë për të fituar dhe nuk do e lëmë këtë mundësi të na ikë. E kuptoj që në Shkodër është e rëndësishme të shkojmë në Europë dhe ne do t’i shfrytëzojmë të gjitha mundësitë, në Kupë dhe kampionat.”
Trajneri i ekipit shkodran zbulon më pas se strategjia e tij është për ta mbyllur ndeshjen Brenda 90 minutave për të shmangur edhe penalltitë ndaj ish portierit të tyre, Sherri.
“Lojtarët janë të motivuar dhe do të hedh në fushë ata që janë 100 për qind gati dhe që janë të aftë për të na dhënë fitoren. Do të hyjmë në fushë me mendimin për ta mbyllur për 90 minuta. Në ndeshje do shikohet, pasi luajmë me një ekip të fortë. Luajmë në shtëpi dhe kjo na jep më tepër motivim. E di që Sherri ka luajtur këtu dhe rikthehet në Shkodër. Ai ka shumë presion mbi shpatulla, sepse përballet me ish-ekipin. Jam i bindur se do t’i shënojmë nesër”, përfundoi trajneri gjerman në konferencën në vigjilje të gjysmëfinales.