Afro-amerikani u qëllua aksidentalisht, policja mendoi se kishte marrë armën paralizuese

I riu u godit me pistoletë nga një police, pandehte se kishte armën paralizuese

Afroamerikani Daunte Rajt që u vra nga policia e Mineapolisit ditën e diel, u qëllua aksidentalisht.

Policia amerikane publikoi të hënën videon e ngjarjes të regjistruar nga kamera e trupit e polices që e goditi për vdekje 20-vjeçarin.

I riu u ndalua nga patrulla pasi po lëvizte me makinë pa paguar taksat e qarkullimit.

Lexo edhe: Vrasja e afro-amerikanit shkakton trazira në Mineapolis, protestuesit përplasen me policinë

20-vjeçari gjithashtu u zbulua se ishte shpallur në kërkim, por teksa po tentohej të arrestohej, zgjodhi të arratisej.

Në këtë moment, policia tha se oficerja nxori pistoletën e vërtetë kur në fakt kishte dashur ta qëllonte viktimën me pistoletën paralizuese.

Rajt mundi të largohej disa lagje më tutje me makinë por u përplas për shkak të plagëve.

I riu nuk ishte i armatosur.

Për të dytën natë radhazi, banorët e Mineapolisit pushtuan rrugët e qytetit për të denoncuar dhunën policore dhe paragjykimet që hasin afroamerikanët përballë forcave të rendit.

Grupe të caktuara plaçkitën disa biznese, ndërsa policia reagoi me gaz lotsjellës.

Pak kilometra larg vendngjarjes, vitin e kaluar do të vritej nga policia edhe amerikani tjetër me ngjyrë, Xhorxh Floid, rasti i të cilit po gjykohet prej javësh nën masa të forta sigurie.