Anglia "gumëzhin" në natën e parë pas heqjes së kufizimeve anticovid
"Emocionuese", "paksa e frikshme" dhe "një trazirë absolute" ishin disa nga mendimet e personave që shijonin natën e parë pasi Anglia hoqi masat kufizuese anticovid.
Në Soho të Londrës, filloi të gumëzhijë përsëri jeta.
Rrugët ishin të mbushura plot me persona që prisnin të merrnin gotën e tyre të alkoolit.
Pija dhe ngrënia në natyrë rifilloi të hënën, më 12 prill për herë të parë që kur Anglia u mbyll më 5 janar, edhe pse për miliona njerëz që jetuan nën kufizimet e 4 dhjetorit pritja ishte më e gjatë.
Dyqanet, parukeritë, palestrat dhe kopshtet zoologjike ishin ndër bizneset e tjera që u rihapën në Angli, ndërsa urdhri i "qëndrimit në shtëpi" i Irlandës Veriore u hoq dhe disa rregulla u lehtësuan në Skoci dhe Uells .
Pavarësisht nga stuhitë e borës në disa pjesë të vendit, njerëzit u dyndën në pub-e dhe restorante për të festuar kthimin e disa prej lirive të tyre.
"Është plot kudo, ndjehet si festë," tha një person për BBC.
"Sinqerisht ndihemi kaq mirë, ndihemi jashtë burgut. Ne po festojmë një ditëlindje, kështu që është dhurata më e mirë mendoj," tha një tjetër.
Një grua, e cila ka jetuar në Soho për 15 vjet, tha se ishte "mahnitëse, të shohësh njerëz jashtë, të shohësh jetën të rifillojë. Më ka marrë malli kaq shumë," tha ajo.
"Thjesht të shohësh gumëzhimat është e bukur dhe të shohësh të gjitha bizneset të gjallërohen përsëri është shumë mirë," thotë ajo.
Policët ishin të pranishëm, por ata nuk po ndërhynin për të zbatuar distancimin shoqëror.
Shumë njerëz thanë se i mirëpritën turmat dhe nuk ishin të shqetësuar për rrezikun e përhapjes së Covid. Disa thanë se ata tashmë ishin vaksinuar, ndërsa një grup tha që kishin marrë paraprakisht teste të shpejta si një masë paraprake dhe se të qenit jashtë zvogëloi rrezikun e infeksionit.
Profesori Adam Finn, një pediatër në Komitetin e Përbashkët për Vaksinimin dhe Imunizimin, tha se njerëzit duhet të vazhdojnë të praktikojnë distancimin social pavarësisht nga suksesi i programit të vaksinave.
"Rreziqet e transmetimit jashtë janë relativisht të ulëta, por jo nëse filloni të viheni në kontakt shumë të ngushtë me njerëzit. Nuk është sikur gjithçka ka mbaruar, të gjithë mund të kthehemi në normalitet."
Më herët të hënën, Kryeministri Boris Johnson u kishte kërkuar njerëzve që "të vazhdonin të silleshin me përgjegjësi" ndërsa lehtësimet u kufizuan.