"Nomadland" triumfon në ndarjen e çmimeve "Bafta", regjisorja më e mirë Chloe Zhao ndërsa McDormand aktorja më e mirë
Regjisorja Chloe Zhao nuk di të ndalet më. Filmi dramatik e regji të kinestes aziatike “Nomadland” u shpall fituesi kryesor nga Akademia Britanike e Arteve të Filmit dhe Televizionit (BAFTA) .
Zhao rrëmbeu çmimin për regjisoren më të mirë, ndërsa Frances McDormand u vlerësua si aktoren më e mirë. Në një ceremoni virtuale të dielën, të transmetuar nga Royal Albert Hall në Londër, të nominuarit u bashkuan me video për shkak të pandemisë COVID-19.
Filmi “Nomadland”, tashmë numëron një sërë çmimesh këtë sezon përfshirë edhe atë për kinematografinë më të mirë.
Ai rrëfen historinë e një 63-vjeçareje të ve, e cila në prag të recesionit ekonomik të SHBA-ve, e kthen furgonin e saj në një shtëpi të lëvizshme dhe niset për rrugë, duke marrë pjesë në punët sezonale gjatë udhëtimit.
“Ne do të donim t’ia kushtonim këtë çmim komunitetit nomad, i cili me aq bujari na priti në jetën e tyre.”– tha regjisorja me origjinë kineze, Zhao.
Një tjetër fitues I madh I mbremjes ishte edhe aktori veteran Anthony Hopkins. Në moshën 83-vjeçare, ai u bë aktori më i vjetër që fiton çmim BAFTA si aktori më i mirë protagonist, falë interpretimit në filmin “The Father”.
Gjithçka për të ishte një surprizë.
“Nuk e dija që kisha fituar. Po pikturoja në dhomën e hotelit ku po qëndroj kur më telefonuan. Është diçka e mrekullueshme, nuk e prisja kurrë të më ndodhte diçka e tillë në këtë moshë”, tha Hopkins nëpërmjet lidhjes me zoom.
Ylli britanik Daniel Kaluuya u shpall aktori më i mirë dytësor, ndërsa trofeu për aktoren dytësore shkoi te Yuh-Jung Youn, nga Koreja e Jugut për rolin e një gjysheje në dramën koreano-amerikane “Minari”.
Skenaristja dhe regjisorja Emerald Fennell gjithashtu fitoi për skenarin më të mirë origjinal. Këtë herë, 16 nga 24 pretenduesit erdhën nga përkatësia etnike e pakicave, ndërsa 21 ishin të nominuarit për herë të parë.
Nata filloi me një nderim për dukën e Edinburgut, i cili ishte presidenti i parë i “BAFTA-s” midis 1959 dhe 1966.