Në burg 2 kontrollorët e Rinasit, 1 arrest shtëpie. Avokati: U dënuan 'puçistët"

Gjykata e Tiranës ka pranuar sot kërkesat e prokurorisë për 3 kontrollorët e trafikut ajror të akuzuar për shpërdorim detyre pasi nxitën bllokimin e fluturimeve në aeroportin e Rinasit.

Flora Ndreca është lënë në arrest shtëpie ndërkohë që 2 të tjerët, Muhin Mezini dhe Armando Fezga janë lënë në burg.

Seanca u zhvillua nga gjyqtari i masave Arben Micko. Në Gjykatë kanë qenë të pranishëm edhe kontrollorë të tjerë në mbështetje edhe kontrollorë të tjerë.

Avokati Rezart Kthupi në një deklaratë për mediat deklaroi se arrestimi ishte i paligjshëm dhe klientët e tij nuk kishin shpërdoruar detyrën.

"Sot dënuam me masë sigurie "puçistët", është një ditë e mrekullueshme! Nuk është vepër penale, akuzhen tre persona që janë larguar nga puna. Nëse do të ishte shpërdorim detyre do ishin në bllok me këtë akuzë. Tre kontrollorë nuk mund të bllokojnë punën në Rinas. Kjo çështje do vazhdojë. Shpirtërisht nuk mund të flas më. Nuk jam i stresuar jam moralisht i dërrmuar."

Punonjësit e Albcontrol akuzohen për “Shpërdorim detyre” pasi bllokuan për 48 orë fluturimet në Rinas.  Tre kontrollorët së bashku me 60 kontrollorë të tjerë shpallën paaftësi të përkohshme për shkak të stresit që u ishte krijuar nga ulja e pagave.

Mes provave ishin dhe  komunikimet telefonike të kontrollorëve.

Lexo edhe: Prokuroria kërkon burg për dy nga kontrollorët e Rinasit, për Ndrecën “arrest shtëpie”