Goditet grupi i strukturuar kriminal, në pranga kryeplaku i fshatit Podgorie në Korçë dhe i biri
Ish kryeplaku i fshatit Podgorie në Korçë , Arben Pilinçi një personazh i njohur për drejtësinë është arrestuar sërish si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal me veprimtari në prodhimin dhe shpërndarjen e drogës.
49 vjeçari subjekt i Operacionit Forca e Ligjit është mes 12 personave të arrestuar ose proceduar pas tri fazave të operacionit të Koduar "Finish" i shtrirë në Korçë dhe Fier ku u sekuestruan 32.5 kg kanabis.
Në pranga ka përfunduar edhe i biri 31 vjecçar Orlind Pilinçi, po ashtu objekt i OFL dhe Erald Muçelli dhe Kundret Hasanbashaj, nga Mallakastra.
Todor Beba dhe Shkëlqim Goga ndërkohë janë shpallur në kërkim nga Policia, ndërsa 5 persona të tjerë janë arrestuar më herët në kuadër të operacionit Domosdova.
Sipas policisë ata vepronin si grup i strukturuar kriminal i shpërndarjes së lëndës narkotike mes Korçës e Fierit ku Arben Pilinçi sipas hetimeve kishte rolin e organizatorit.
Burimet thonë se tre personat e arrestuar këtë të enjte me vendim të Gjykatës së Korçës kanë qenë nën përgjim për një periudhë disa mujore, përmes të cilit janë siguruar provat e përfshirjes në trafikun e drogës!
Arben Pilinçi ushtronte detyrën e kryeplakut të fshatit Podgorie në Korçë, kur në vitin 2016 policia zbuloi se merrej me trafik droge dhe armësh, ndërsa ka qenë i dënuar edhe për vrasje me dashje.