Pandemia merr hov - mbyllje e re në Maqedoninë e Veriut

Qeveria e Maqedonisë së Veriut miraton masa të reja për parandalimin e shpërndarjes së virusit korona.

Prej 6 prillit ora policore do të fillojë në orën 20:00 deri në ora 05:00, do të mbyllen të gjitha objektet hotelierike, bastoret, palestrat, ndalohet grupimi i më shumë se 4 vetëve.Të gjitha këto masa janë në fuqi deri më 20 prill.

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe tha se për dallim nga vala e kaluar, tani pacientët po shërohen me ritëm më të ngadalësuar. Filipçe tha se janë regjistruar raste, ku edhe pas ditës së 14 është përkeqësuar gjendja e pacientëve.

"Kemi pasqyrë klinike të sëmundjes më ndryshe nga e kaluara, hospitalizimi zgjat më shumë. Në dallim nga vala e kaluar ku në ditën e 14 të shërimit pacienti në të shumtën e rasteve shërohej, tani kemi karakteristikë edhe tek pacientët e rinj, përkeqësim në ditën e 12-13 dhe 14 të shërimit, një formë e rrallë, me përkeqësim të pasqyrës së mushkërive dhe gjakut”, ka deklaruar Filipçe.

Versioni britanik po merr hov, andaj jemi të detyruar për masa të reja, të cilat i ndërmorëm në konsultim me institucionet përkatëse, tha kryeministri Zoran Zaev.

"Vala e fundit e virusit nuk krahasohet me valët e tjera. Vala e fundit e virusit është shumë më agresive. Në këtë valë po preken edhe brezat e rinj, andaj është shumë e rëndësishme që të kufizohen kontaktet. Apelojmë, qëndroni në shtëpi. Këto masa po i ndërmarrim në prag të festave për të shmangur pasojat më të mëdha dhe që të ulim presionin ndaj punonjësve të shëndetësisë”, tha Zaev.

Hasani: Gjatë festave- kujdes më i madh për mosinfektim

Zëvendësministri i Shëndetësisë, Ilir Hasani, tha se masat restriktive kanë qenë të paevitueshme për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve.

"Ky është realiteti ynë. Jemi të vetëdijshëm që masat që sollëm janë më restriktive. I sollëm me vetëdije të plotë që të gjithë së bashku me qetësi t'i kalojmë festat dhe të mos ballafaqohemi me situata ku të afërmit tanë dhe tuajt të jenë të sëmurë të hospitalizuar ose larg qoftë që të humbasin jetën nga virusi”, tha Hasani/ DW/