Politika uron Pashkët, Rama poston vezë, Basha dhe Kryemadhi shpresojnë te çlirimi nga e keqja
Kryeministri Edi Rama, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, kanë përcjellë urimet e tyre për besimtarët e krishterë për festën e Pashkëve.
Rama përcolli urimet shkurt nga Fieri me një foto me simbolin e kësaj feste, vezët e Pashkëve.
Ndërsa Basha duke u ndalur tek ajo çfarë përfaqëson kjo festë, triumfin mbi të keqen dhe forcën e jashtëzakonshme të ringjalljes dhe dashurisë, thotë se të gjithë së bashku le të gjejmë forcën për të kapërcyer çdo vështirësi me zemrat e mbushura me besim se aspiratat tona do të bëhen realitet.
Basha: Nga zemra ju uroj Gëzuar Pashkët të gjithë besimtarëve katolikë. Kremtimi i Pashkëve shënon triumfin mbi të keqen dhe forcën e jashtëzakonshme të ringjalljes dhe dashurisë. Sot, kur si asnjëherë më parë jemi në udhëkryq, të gjithë së bashku le të gjejmë forcën për të kapërcyer çdo vështirësi me zemrat e mbushura me besim se aspiratat tona do të bëhen realitet. Prandaj ju motra e vëllezër që po kaloni vështirësi shëndetësore, nëna dhe baballarë që sot jeni në pamundësi ekonomike, të rinj e të reja që mendoni emigrimin, mbushini zemrat tuaja me shpresë se ditë më të mira po vijnë. Zoti e bekoftë Shqipërinë.Për shumë vjet gëzuar!
Edhe Monika Kryemadhi nga LSI beson fort se këto Pashkë që po kalojmë janë Pashkët e Ringjalljes dhe të çlirimit nga e keqja.
Kryemadhi: Gëzuar Pashkët dhe me lutjen për të ardhmen me zemër të mirë e të mbushur me gëzim për çdo shqiptar. Këto Pashkë që po kalojmë janë Pashkët e Ringjalljes dhe të çlirimit nga e keqja, që donte të pushtonte nëpërmjet kësaj situate pandemie dhe varfërie por që me ndihmën e Zotit, asnjëherë nuk do të fitojë.Për shumë vjet gëzuar! Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët!