Përplasen dy trena, të paktën 30 viktima
Një aksident hekurudhor në qytetin qendror të Sohagut në Egjipt shkaktoi të premten të paktën 30 viktima dhe mbi 100 të plagosur.
Autoritetet egjiptiane raportuan se aksidenti erdhi si pasojë e përplasjes së dy trenave.
Rreth orës 11:42 të paradites, njëri nga mjetet aktivizoi frenin e emergjencës përpara se të goditej nga mbrapa nga mjeti tjetër.
Përplasja deformoi dy vagonët e fundit me pasagjerë dhe nxori nga shinat një të tretë.
Me ndërhyrjen e pasagjerëve dhe ekipeve të shpëtimit, u bë e mundur nxjerrja e viktimave.
Presidenti egjiptian premtoi dënimin e personit që dyshohet se aktivizoi papritur frenat e trenit.
"Kushdo që e shkaktoi këtë aksident të dhimbshëm, me neglizhencë, korrupsioni apo diçka të ngjashme, duhet të marrë pa përjashtim dhe vonesë dënimin më të ashpër."
Infrastruktura hekurudhore e Egjiptit është ndër më të vjetrat e Afrikës Veriore dhe përgjatë viteve është bërë shkak për aksidente fatale.
Më i rëndi konsiderohet aksidenti i vitit 2002, që la mbi 370 pasagjerë të vrarë pasi treni me të cilin ishin nisur mori flakë gjatë udhëtimit.