Europë – ShBA sanksione për ujgurët, Kina kundërpërgjigjet
Kina është kundërpërgjigjur ndaj sanksioneve që ka njoftuar Bashkimi Europian dhe Britania e Madhe për shkelje të të drejtave të njeriut në Kinë ndaj ujgurëve.
Individëve në Perëndim u është ndaluar që të vizitojnë territorin kinez dhe ndalohen gjithashtu që të bëjnë transaksione financiare me shtetas dhe institucione kineze.
Ministria e Jashtme kineze tha se veprimet e bllokut perëndimor nuk janë asgjë tjetër përveç gënjeshtrave dhe dezinformimit, ndërsa shkelin në mënyrë flagrante ligjin ndërkombëtar dhe normat themelore që rregullojnë marrëdhëniet ndërkombëtare.
Për kinezët, sanksionet e vendosura ndërhyjnë në mënyrë të fortë në punët e brendshme të Kinës dhe minojnë rëndë marrëdhëniet Kinë-Mbretëri e Bashkuar. Ambasadorit britanik në Kinë u thërrit në ministrinë e Jashtme dhe iu dorëzua një notë proteste diplomatike.
Më herët ka qenë edhe Bashkimi Evropian që ka vendosur sanksionet e para kundër Kinës në më shumë se 30 vjet. Masa e BE-së synon katër zyrtarë kinezë dhe një organizëm ekonomik që besohet të jenë përfshirë në shkeljet e pretenduara të të drejtave të njeriut të pakicës myslimane ujgure.
Por për autoritetet kineze, sanksionet kundër zyrtarëve të gjigantit aziatik janë pjesë e një komploti për të destabilizuar rajonin dhe nuk pasqyrojnë ndonjë shqetësim real për të drejtat e myslimanëve.
Komuniteti ndërkombëtar pretendon se në Kinë po bëhen abuzime serioze me të drejtat e njeriut, i ndalimi arbitrar, torturat dhe indoktrinimi i detyruar politik, në kampet e përqendrimit të vendosura në rajonin autonom Xingian.