Danimarka shtyn me tre javë të tjera pezullimin për vaksinën AstraZeneca
Danimarka njoftoi të enjten më 25 mars se do të zgjaste pezullimin e vaksinës AstraZeneca edhe për tre javë të tjera në pritje të hetimit të mëtejshëm për një lidhje të mundshme midis vaksinës dhe rasteve të rralla të mpiksjes së gjakut.
Danimarka ishte ndër vendet e para në Evropë që pezulloi përdorimin e vaksinës këtë muaj pasi u raportuan rastet.
Shumica e vendeve që zbatuan pezullimet e përkohshme tani kanë rifilluar administrimin e saj pas rekomandimeve nga mbikëqyrësi i vaksinës i Bashkimit Evropian dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
Por autoritetet daneze thanë se ata ende nuk mund të përjashtonin një lidhje midis vaksinës dhe sëmundjes shumë të pazakontë në dy raste lokale që ende janë duke u analizuar, si dhe raste të tjera në Evropë.
"Baza jonë për të marrë një vendim përfundimtar mbi përdorimin e mëtejshëm të vaksinës Covid-19 nga AstraZeneca është shumë e pasigurt," tha drejtori i Autoritetit Shëndetësor danez Soren Brostrom në një konferencë për shtyp.
"Shumë studime janë nisur, por ne ende nuk kemi ndonjë konkluzion, prandaj kemi vendosur të zgjasim pezullimin".
Vendimi për zgjatjen e pezullimit u mor pjesërisht në mënyrë që të mos rrezikohej niveli i lartë i besimit midis danezëve në vaksinat Covid-19.
"Ne duhet të jemi në gjendje t'u tregojmë njerëzve me shumë qartësi dhe siguri se ata mund t'i besojnë vaksinës që ne jo vetëm ofrojmë, por gjithashtu rekomandojmë", tha Brostrom.
"Kjo është arsyeja pse ne ndjekim parimin paraprak".
Përafërsisht 150,000 njerëz në Danimarkë kishin marrë vaksinën e AstraZeneca në Danimarkë para se të pezullohej, ndërsa gati 500,000 kanë marrë vaksinën e Pfizer-BioNTech dhe rreth 37,000 vaksinën Moderna, raporton Reuters.
Si Agjencia Evropiane e Barnave dhe OBSH thanë javën e kaluar se përfitimet e vaksinës së AstraZeneca tejkaluan rreziqet.