Verifikim i thelluar/ KQZ dërgon në prokurori 12 kandidatë për deputetë, mes tyre edhe Tom Doshi

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve publikon emrat e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 25 Prillit, të cilët do ti nënshtrohen një verifikimi të thelluar.

Katër emra janë pjesë e listës së Partisë Demokratike, ku bien në sy dy ish-kryebashkiakët Agron Kapllanaj i Mallakastrës, dhe Zef Hila i Vaut të Dejës, i shkarkuar nga detyra nga Kryeministri Edi Rama në qershor të vitit 2019 pas djegies së një KZAZ-je.

Dy kandidatë të tjerë që do verifikohen janë edhe Rezart Tusha, pjesë e listës së Durrësit dhe Gentian Muça në qarkun e Tiranës.

Nga listat e Partisë Socialiste janë dërguar për verifikim tre kandidatë, Artan Bitiri kandidat në Durrës, Halim Dauti, i cili garon i treti në Kukës si dhe Leonard Beqiri, kandidat për deputet në qarkun e Vlorës.

Më tepër informacion lidhur me pastërtinë e figurës KQZ kërkon edhe për Tom Doshin dhe Kelo Murataj, të dy pjesë e Partisë Social-Demokrate.

Sakaq nga LSI hetimit të thelluar do t`i nënshtrohet vetëm një kandidat Arbër Tarifaj, i treti në listën e qarkut të Kukësit.

E vetmja grua për të cilën kërkohet hetim është Elsa Voka, e cila i përket koalicionit ABEOK, pjesë e tij po ashtu është edhe kandidati Altin Gjeloshaj.

EMRAT:

LSIArbër Arifaj

PSDTom Doshi, Kleo Murataj

Koalicioni ABEOK - Altin Gjeloshaj, Elsa Voka

PDAgron Kapllanaj, Gentjan Muça, Rezart Tusha, Zef Hila

PS - Artan Bitri, Halim Dauti, Leonard Beqiri.

Pesë ditë më parë, KQZ miratoi regjistrimin e listës shumë emërore të Partisë Social Demokrate, duke lejuar kandidimin e Tom Doshit në Zgjedhjet Parlamentare të 25 prillit.

Rreth dy javë më parë ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim paralajmëroi se procesi i verifikimit të kandidatëve nga prokuroria mund të sjellë skualifikim nga gara të personave që kanë probleme me ligjin.

Diplomatja amerikane iu referua ligjit për dekriminalizimin që ndalon kandidimin e personave me rekorde kriminale.

Lexo edhe: KQZ jep Ok-in, Tom Doshi regjistrohet zyrtarisht për zgjedhjet e 25 Prillit