Majami shpall emergjencën pandemike, mbyllen urat që lidhen me qytetin
Grumbullimet masive të qytetarëve në kushtet e pandemisë detyruan të shtunën autoritetet amerikane të shpallin gjendjen e emergjencës në një nga qytetet e veta më popullore.
Kushtet pranverore të motit kanë rritur fluksin e vizitorëve në qytetin Majami Beach të Floridës.
Por turmat e paorganizuara po shihen tani si rrezik për shëndetin publikun, teksa pandemia vazhdon të vrasë mijëra amerikanë.
Nga ora 8 e mbrëmjes, do të ndalohet lëvizja dhe darkimi në restorantet e zonës më të frekuentuar gjatë natës, ndërsa tri ura që lidhin qytetin me Majamin do jenë të lira vetëm për banorët, punëtorët dhe klientët e hoteleve.
"Mendoj se është ide e mirë edhe pse ne zbavitemi, argëtohemi në këtë qytet. Mendoj se secili do të jetë në vendin e vet", thotë një turist.
"Njerëzit vetëm po shijojnë plazhin, atmosferën. Ata do të shkojnë diku, do i çojnë diku paratë e tyre. Korona mbaroi, dimri mbaroi ndaj të bëjmë vaksinën dhe të vazhdojmë jetën."
Kufizimet në qytetin e njohur amerikan aplikohen veçanërisht në zonën jugore të plazhit të Majamit, atje ku është e përqendruar jeta e natës dhe ku ditët e fundit janë raportuar skena dhune dhe vandalizmi nga ana e qytetarëve, të cilët festojnë ardhjen e pranverës.