"Mur qorr" Rama akuza Ademit: Pakënaqësia e njerëzve ndaj meje për shkak të qeverisjes vendore
Një muaj para zgjedhjeve, kryeministri Edi Rama po mundohet që barrën e mungesës së investimeve në Shkodër t’ja atribuojë konflitiktit me kryebashkiaken demokrate Voltana Ademi.
Duke qenë në dijeni të pakënaqësive të qytetarëve shkodranë , kryesocialisti, gjatë prezantimit të ekipit të këtij qarku, shpërtheu në akuza ndaj Ademit, pavarësisht se vendimet e Bashkisë merren nga Këshilli Bashkiak socialist.
"Këtu jemi përplasur me murin qorr dhe shurdh të qeverisë vendore të Shkodrës. Kemi reflektuar seriozisht mbi nevojën dhe ambicien të shkodranëve dhe u kemi paraqitur një zgjedhje që është më e mira që kanë pasur ndonjëherë me figura të reja që vijnë nga ky komunitete dhe me figura me eksperiencë që kanë dhënë kontribute të çmuara në komunitetet e tyre qoftë në Malësinë e Madhe, në Pukë apo në bashkinë e Vaut të Dejës.
Jam i keqardhur sepse ka një të vërtetë të pamohueshme në shprehjen pakënaqësinë së njerëzve nga bashkia Shkodrës në raport me mua dhe qeverisë sot si pasojë e një kontrasti që bëhet gjithnjë e më e thellë mes Shkodrës dhe Vlorës apo Korçës dhe shumë qendrave të tjera urbane.
Jam i keqardhur që s’kemi bërë më shumë, por jo se nuk kemi dashur. Kemi dashur dhe kjo numërohet lehtësisht në punët qe kemi bërë përtej murit dhe bllokimit që ka bërë bashkia e Shkodrës dhe personit absurd që e drejton atë.
U skandalizova nga stadiumi i Shkodrës, krejt pjesa e mureve të jashtme, gardhet e sigurisë, mjedisi pisllëk, e nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Së bashku me FSHF kërkuam që stadiumit që mos menaxhohej nga bashkia duke e ditur paaftësinë dhe paditurën therëse të personit që drejton bashkinë Shkodër, refuzuan dhe sot pamjet flasin vetë".
Edi Rama është dorëzuar para Lulzim Bashës, pasi sipas shefit të mazhorancës, demokratët nuk do të ndalen të bëjnë fushatë elektorale duke rrezikuar jetën e qytetarëve.
"Bëhen shfaqje gjoja si spontane me ulëritësa që vijnë aty për të ngritur gishtat dhe me dhëndrin që hipën mbi makinën e dasmës dhe buzëqesh duke tundur dajren, kjo është e neveritshme. Ne nuk mund të jemi me virusin, as me vetëdije dhe as pa vetëdije, për të bërë luftë politike, për të bërë fushatë elektorale."
Por nuk kishte si të mungonte, strategjia e tij elektorale për të përçarë dy aletatët politike Lulzim Bashën dhe Monika Kryemadhin.
"Të rësërisësh të njëjtën gjë dhe të presësh rezultat tjetër është karakteristikë e budallenjve. Sigurisht që do të keni një humbje më dinjitoze se ajo e mëparshmja sepse do të arrini të merrni mbrapsht një pjesë të atyre skllevërve siç i quante Luli, të LSI, do rikthehen në shtëpi."
Madje ai shkon më tej duke treguar se si do të ndahen postet e ministrave në kabinetin qeveritar të opozitës.
"Monika Kryemadhin Ministre Financash, Gon Dukën Ministër Bujqësie, Fatmir Mediun Ministër çfarëdoqoftë se Fatmiri i bën të gjitha ngaqë nuk di të bëjë asgjë."
Gjatë kësaj fushate elektorale, Rama ka vendosur të akuzojë kundërshtarët dhe të mos përmendë socialistët që ai vetë ka larguar nga lista, siç është rasti i Ditmir Bushati, të cilit i është prerë një biletë pa afat nga kryesocialisti.