Vrasja e Behar Sofisë, autorët bënë prova me armë në Tiranë por policia nuk i zbuloi
Personat e implikuar në vrasjen e Behar Sofisë pranë Piramidës në Tiranë më 25 shkurt e kanë përgatitur atentatin për të paktën 1 muaj para krimit. I akuzuari si ekzekutor, Ernejt Shyti, nuk kishte përdorur kurrë armë zjarri dhe për këtë arsye para atentatit ka kryer qitje në zonën e Krrabës në Tiranë. Pavarësisht të shtënave në këtë zonë, apo ndjekjes e vëzhgimit për muaj muaj të 66-vjeçarit Sofia në zonën ku banonte, policia nuk ka arritur ta parandalojë vrasjen.
Grupi i autorëve të arrestuar për vrasjen e Behar Sofisë më 25 shkurt në Tiranë, ka kryer prova e qitje me armë zjarri në periferi të kryeqytetit pak ditë para atentatit por policia nuk ka arritur të bëjë asgjë për parandalimin e ngjarjes.
Grupi i hetimit ka zbardhur detaje të reja sipas të cilave fillimisht plani ka qenë që vrasjen ta kryente Xhuliano Visha, por skenari ka ndryshuar në momentin e fundit.
Shkak është bërë fakti se Visha për një kohë të gjatë kishte qëndruar në zonën e Piramidës duke mbajtur nën vëzhgim 66-vjeçarin, çka rrezikonte të bëhej shkak për zbulimin e tij ditën e ngjarjes.
Për këtë arsye, sipas hetuesve vetë Xhuliano Visha ka kontaktuar me shokun e tij Ernejt Shytin duke u kërkuar kryerjen e vrasjes kundrejt një shumë prej 50 mije eurosh, si dhe duke i ofruar dhe siguri.
Në dosje thuhet se Ernejt Shyti ka pranuar ofertën e shokut të tij, por duke qenë se ai nuk kishte prekur armë më dorë asnjëherë për disa ditë para ngjarjes, kanë bërë prova-qitje në zonen e Krrabës.
Sipas hetimeve, për gati një muaj viktima Behar Sofia është vëzhguar nga 4 personat e implikuar në vrasjen e tij ndërkohë që një ditë para krimit në afërsi të banesës së 66-vjecarit nga kamerat e sigurisë është fiksuar Skender Vathi, i cili deri më tani dyshohet se është porositësi i atentatit.
Paraditen e 25 shkurtit, sapo 66-vjeçari Behar Sofia ka zbritur nga banesa e tij është mbajtur në vëzhgim nga Leonar Xhixha, i cili me celular ka lajmëruar Ernejt Shytin për tu bërë gati për finalizimin e vrasjes.
Goditja është kryer në kohën kur Behar Sofia ka dalë në trotuarin ngjitur Lanës.
24-vjeçari e ka ndjekur nga mbrapa, duke e qëlluar me dy plumba, dhe më pas ka marrë rrugen poshtë urës së Lanës, aty ku 1 ditë më parë kishte lënë biçikletën me të cilën u largua drejt kodrave të Liqenit, me destinacion final Terminalin e Autobusëve.
Gjatë largimit nga skena e krimit, autori ka hedhur kapelen, maskën si dhe një bluzë në afërsi të një koshi te mbeturinave.
Këto prova janë gjetur nga policia bashkë me telefonin ne xhepin e bluzës që kishte veshur autori ditën e krimit.
Pikërisht këto prova zbuluan ekzekutorin dhe bashkëpunëtorët e tij, ndërkohë që pas shoqërimit në polici, 24-vjeçari, Ernejt Shyti, ka pranuar akuzën duke treguar me detaje përgatitjen dhe realizimin e vrasjes.
Grupi i hetimit po vazhdon përpjekjet për gjetjen e armës së vrasjes, e cila dyshohet se është hedhur në Lanë por edhe për identifikimin e porositësit dhe motiveve të atentatit.