Tentoi ti fusë ilegalisht në Shqipëri nga Belgjika, 51-vjeçari arrestohet në portin e Durrësit me 4 kosovarë në furgon
Një 51-vjeçar shqiptar, me banim në Belgjikë, u arrestua në portin e Durrësit për veprën penale "ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit".
Shtetasi me iniciale S. N. u kap nga Policia Kufitare duke transportuar 4 shtetas kosovarë.
"Si rezultat i kontrolleve të shtuara, shërbimet e Policisë kanë ndaluar një mjet furgon tip "Benz", me drejtues shtetasin S. N., ku ndodheshin 4 shtetas kosovarë, të cilët shtetasi S. N. do i ndihmonte të kalonin në mënyrë të kundërligjshme kufirin e Republikës së Shqipërisë, nëpërmjet Pikës Kufitare të Portit të Durrësit, kundrejt fitimit, duke përdorur dokumente të ngjashme me të disa shtetasve të tjerë".
Gjithashtu u proceduan penalisht për veprën penale "Kalim i paligjshëm i kufirit shtetëror", shtetasit kosovar: A. H., 35 vjeç, B. D., 33 vjeçe, L. M., 26 vjeç dhe S. Zh., 40 vjeç.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dokumentet e përdorura nga këta shtetas dhe automjeti me të cilin po transportoheshin.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.