Inflacioni i lartë varfëron Turqinë, Erdoğan: Situata po ekzagjerohet
Gati 14 për qind e popullsisë turke po jeton në varfëri, bazuar në të dhënat e Bankës Botërore.
Ndërsa ekonomia e Turqisë u rrit me rreth 6 për qind fundvitin e kaluar, lira turke humbi gati gjysmën e vlerës kundrejt dollarit që nga viti 2018.
Blerjet e zakonshme po bëhen të papërballueshme edhe për banorët e pjesës së vjetër të Ankarasë.
"Unë nuk kuptoj këtë punën e vajit? Si mundet çmimi i vajit të rritet katër herë brenda muajit? Sikur nuk kemi ullinj, sikur kanë ndryshuar makineritë që i shtypin. S'e kuptoj si arritëm deri këtu?!", thotë në banor i Ankarasë.
"Dal me 50 lira në xhep dhe kur kthehem në shtëpi nuk kam as 50 qindarka," thotë një banor tjetër.
"Fuqia blerëse tani është në fund. Hajdeni në darkë dhe shikoni se si njerëzit vijnë në treg për të mbledhur produktet e pashitura. Na thonë se nuk ka varfëri, se gjithçka po lulëzon. Kjo është gënjeshtër e thënë nga ata që na shohin lart nga pallati," tha një shitës dyqani.
Në muajin tetor, një qytetar ia ngriti çështjen e varfërisë edhe presidentit Reçep Tayyp Erdogan, por kreu i shtetit tha se me situatën po ekzagjerohet.
Kreu i shtetit ka refuzuar kritikat se kriza vjen prej politikave të qeverisë, dhe ka ngarkuar me përgjegjësi tregtarët që sipas tij duan të përfitojnë.
Erdogan qëndron në pushtet prej 18 vitesh, ndërsa ka premtuar reforma të reja për ta bërë Turqinë ekonomi kryesore në botë.