Nesër mbërrijnë dozat e para në Shqipëri, BE e frikësuar nga efektet anësore të AstraZenecas

Katër vende të Bashkimit Europian kanë pezulluar përdorimin e vaksinës antikovid, "AstraZeneca".

Danimarka dhe Norvegjia njoftuan ndalimin e plotë të vaksinës angleze, ndërsa Italia dhe Austria bllokuan vetëm dozat me numër serie të caktuar.

Edhe Agjencia Europiane e Barnave njoftoi se po heton raportimet se vaksinat e kompanisë anglo-suedeze "AstraZeneca" dhe Universitetit të Oksfordit, shkaktojnë efekte anësore që mund të rezultojnë fatale, përkatësisht mpiksje të gjakut.

Në rastin e parë, në Austri, një person pësoi trombozë dhe humbi jetën 10 ditë pas vaksinimit.

Një tjetër pacienti iu bllokuan arteriet e mushkërisë, pasi ai dhe 20 tjerë mësohet se ishin vaksinuar me doza të një datëprodhimi të caktuar, të cilat u ishin shpërndarë 17 vendeve të ndryshme të BE-së.

Autoritetet daneze nuk e konfirmojnë lidhjen mes vaksinës dhe efekteve anësore, por e kanë ndaluar përdorimin e saj për të paktën 14 ditë.

Ndërkaq Shqipëria pret mbrëmjen e të premtes 38.400 dozat e para nga AstraZeneca, në kuadër të marrëveshjes me COVAX.

Ndërkohë të enjten, Agjencia Europiane e Barnave miratoi një vaksinë të re kundër Covidit-19.

Vaksina e kompanisë "Johnson & Johnson", e ideuar nga një filial i saj në Holandë, jepet me një dozë të vetme dhe ka rezultuar 66 për qind efektive në parandalimin e koronavirusit, e deri 85 për qind efikase në rastet më të rënda të infektimit.

Brenda vitit BE-ja pritet të marrë 200 milionë doza.