"4 korriku dita e pavarësië edhe nga Covid" Biden jep datën: Ja kur mund të 'çlirohet' SHBA nga Covid-19
Qeveria amerikane do që gjithë qytetarët mbi 18 vjeç në SHBA të vaksinohen brenda korrikut.
Presidenti Joe Biden u tha të enjten amerikanëve se për secilin prej tyre janë siguruar doza të mjaftueshme vaksinash anticovid nga kompanitë vendase Pfizer, Moderna dhe Johnson & Johnson.
Deri tani janë kryer rreth 100 milionë doza.
"Brenda 4 korrikut, ka mundësi që të mund të qëndroni bashkë me familjet dhe miqtë tuaj, jashtë në kopsht ose duke festuar Ditën e Pavarësisë. Mund të bëheni sërish bashkë në grupe të vogla," tha Biden.
Pandemia në Amerikë në gati një vit u ka marrë jetën më shumë se 530 mijë personave dhe ka ndikuar si në aspektin social, edhe ekonomik.
"Edhe pse kushdo e kaloi ndryshe, të gjithë humbëm diçka: ishte vuajtje kolektive, sakrificë kolektive, një vit i mbushur me jetë të humbura," shtoi ai.
Të enjten, presidenti Biden firmosi edhe ligjin që i garanton qytetarëve dhe ekonomisë amerikane mbështetje financiare në vlerën 1,9 trilionë dollarë.
Lexo edhe: SHBA, miratohet stimuluese prej 1,9 trilionë dollarësh
Shumë persona do marrin pagesa direkte deri 1,400 dollarë ndërsa të papunëve do u garantohet 300 dollarë pagesë javore emergjencë deri në shtator.
"Unë besoj se kjo është një paketë historike, pasi do rindërtojë palcën e vendit tonë, për t'i dhënë shansin kombit, punëtorëve, klasës së mesme atyre që e krijuan këtë vend, që të luftojnë. Ky është thelbi," deklaroi shefi i Shtëpisë së Bardhë.