Nuk ju bindën urdhrit për të qëlluar protestuesit, disa policë në Mianmar u arratisën në Indi

Mianmari deri më tani numëron mbi 60 protestues të vrarë dhe mijëra të tjerë të arrestuar, si pasojë e tubimeve kundër juntës ushtarake. Por ka edhe raste shpresëdhënëse. Një efektiv i forcave të rendit pranoi më mirë që të largohej nga puna e të kërkonte azil në Indi se të qëllonte mbi bashkëatdhetarët e tij protestues.

Ndërsa situate në Mianmar rëndohet nga dita në ditë për shkak të shtypjes së dhunshme të protestave nga policia dhe ushtria, rastet e shpresës, sado të pakta nuk mungojnë.

Një efektiv i forcave të rendit pranoi më mirë që të largohej nga puna se të qëllonte mbi protestuesit e pafajshëm.

Në intervistën e tij të dhënë për mediet ndërkombëtare, Tha Peng thotë se urdhërua të qëllonte mbi protestuesit me automatikun e tij për t'i shpërndarë, dhe derisa të ishin të gjithë përtokë, por refuzoi që ta zbatonte urdhërin.

"Të nesërmen, një oficer më thirri në zyrë të më pyeste nëse do të qëlloja," tha ai.

27-vjeçari refuzoi përsëri, dhe dha dorëheqjen nga forcat e rendit. Më 1 mars, ai tha se e la shtëpinë dhe familjen e tij dhe udhëtoi për tre ditë, kryesisht natën për të shmangur policinë, para se të kalonte në Indi.

"Nuk kisha zgjidhje", tha ish-efektivi, duke shtuar se edhe gjashtë kolegë të tjerë të tijët kishin refuzuar t’i binden urdhërit për të vrarë protestuesit, por nuk dinte asgjë për fatin e kolegëve.

"Ka pasur edhe 3 raste të tjera që kanë kërkuar azil në Indi, ndërsa janë shprehur se nuk kishin guxim për të qëlluar mbi bashkëatdhetarët e tyre".

Junta ushtarake e Mianmar organizoi një grusht shteti më 1 shkurt dhe rrëzoi qeverinë e vendit, ndërsa Mianmari është përfshirë nga protesta masive të qytetarëve që kundërshtojnë diktatin e juntës ushtarake.

Deri më tani raportohet për mijëra të burgosur dhe dhjetra protestues të vrarë.