Pallati mbretëror i përgjigjet akuzave për racizëm nga Meghan dhe Harry

Çështja e racizmit e ngritur nga Duka dhe Dukesha e Sussex në intervistën e tyre me Oprah Winfrey është "shqetësuese" dhe Pallati mbretëror "po merret shumë seriozisht”. Në një deklaratë për mediat sqarohet se akuzat do të adresohen privatisht.

"Çështjet e ngritura, veçanërisht ajo e racës, janë shqetësuese. Ndërsa disa kujtime mund të ndryshojnë, ato do të merren shumë seriozisht dhe do të adresohen nga familja privatisht. Harry, Meghan dhe Archie do të jenë gjithmonë familjarë shumë të dashur ", thuhet në përgjigjen që erdhi pas mbledhjeve urgjente në familjen mbretërore.

Lexo edhe: Shokon Meghan Markle: Familja mbretërore më ka bullizuar, nuk doja të isha më gjallë

Pallati ishte nën presion në rritje për t'iu përgjigjur intervistës në të cilën Meghan tha se një anëtar i familjes kishte bërë pyetje në lidhje me ngjyrën e lëkurës së djalit të tyre. Princi Harry më vonë i sqaroi Oprah-s se komentet nuk ishin bërë nga Mbretëresha dhe Duka i Edinburgut.

Në deklaratën, e cila erdhi një ditë e gjysmë pasi intervista u transmetua për herë të parë në SHBA, thuhej se: "e gjithë familja u pikëllua kur mësoi se sa sfiduese kanë qenë vitet e fundit për Harry dhe Meghan.

Është e kuptueshme që mbretërit donin të konsideronin me kujdes përgjigjen e tyre dhe t'i jepnin publikut britanik një mundësi për të parë intervistën, që u transmetua të hënën në mbrëmje. Familja mbretërore e konsideron këtë si çështje familjare dhe besojnë se duhet t'u jepet mundësia të diskutojnë çështjet private.