Qendrat shëndetësore drejt kolapsit për shkak të Covid-19

Spitalet e Brazilit janë afër kolapsit teksa pandemia vazhdon përhapjen dhe fushata e vaksinimit kundër covid-19 po avancon me ngadalë.

Shteti amerikano-jugor raportoi gati  2 mijë viktima të tjera në 24 orët e kaluara, duke e çuar në afro 270 mijë bilancin e jetëve të humbura.

70 mijë qytetarë, ndërkohë, iu shtuan listës së bartësve të koronavirusit, duke iu bashkuar mbi 11 milionë të prekurve të tjerë që nga viti i shkuar.

Raportohet se 80 për qind e reparteve të terapisë intensive janë zënë me të sëmurët me Covid.

Rajonet, si Brazilia, Rio-de-Zhanejroja dhe San-Paoloja thonë se kanë ezauruar 90 për qind të kapaciteteve të tyre spitalore.

"Luftën me Covid-19 e humbëm në vitin 2020 dhe nuk ka shans ta ndalim tragjedinë në gjysmën e parë të 2021-it. Ajo që mund të bëjmë është të presim një mrekulli nga vaksinimi masiv ose një ndryshim radikal në menaxhimin e pandemisë," thotë epidemiologu brazilian, Zhesem Orelana.

Deri tani më pak se 4 për qind e banorëve të Brazilit kanë marrë dozën e parë të vaksinës antikovid, duke përdorur prodhimin kinez "CoronaVac" apo vaksinën angleze "AstraZeneca/Oxford".

OBSH-ja i ka kërkuar autoriteteve të marrin masa më agresive ndaj pandemisë, përndryshe situata do të reflektohet edhe në shtetet fqinje.