"Veting" për patriotët, ja avantazhet që i jep ky sistem i ri atyre

Kina propozoi javën e kaluar ndryshime në sistemin zgjedhor të Hong-Kongut, për t'i rikthyer rajonit stabilitetin dhe për të zmbrapsur forcat antikineze.

Besnikëria ndaj linjës partiake të Pekinit mësohet se do të jetë një nga kriteret që duhet të plotësojnë ligjvënësit e ardhshëm të rajonit gjysmautonom.

Song Ruan, zv.komisioneri i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Hong-Kongut, deklaroi të martën se rajoni ka nevojë për patriotë të vërtetë.

"Patriotizmi nuk është një dashuri abstrakte kulturore apo historike për Kinën, por dashuri ndaj Republikës Popullore të Kinës nën liderishipin e Partisë Komuniste kineze. Duke pasur demokraci socialiste, ne i lejojmë opinionet e ndryshme politike por jo që ato të rrezikojnë sistemin bazë, sistemin socialist të Partisë Komuniste kineze."

Hong-Kongu gëzon autonomi të veçantë nga Kina që prej vitit 1997, në bazë të parimit "një vend, dy sisteme".

Qyteti ka organet e veta legjislative, gjykata të pavarura dhe mbrojtje më të mirë për lirinë e fjalës.

Administrata ekzekutive e rajonit i ka mirëpritur propozimet e fundit për çështjen e patriotëve.

"Nuk do të kemi konsulta të gjera publike, por i kemi dëgjuar shqetësimet e qytetarëve për keqfunksionimin e sistemit tonë zgjedhor. Propozimet janë të nevojshme, të ligjshme, kushtetutese dhe pushteti që i ka propozuar, i padiskutueshëm," tha kryeqeveritarja e Hong-Kongut, Keri Lam.