Pas vizitës historike në Irak, Papa: Takimi me udhëheqësin islamik ishte një balsam për shpirtin tim

Papa Françesku u kthye në Itali pas vizitës së tij historike katër-ditore në Irak.

Kreu i Vatikanit u përcoll me një ceremoni zyrtare të mbajtur në Aeroportin Ndërkombëtar të Bagdadit. Presidenti irakian, Barham Saleh, shoqëroi Papën drejt avionit.

Gjatë qëndrimit të tij nga 5 deri 8 mars Papa vizitoi pesë qytete të Irakut, duke përfshirë Bagdadin, Erbilin, Mosulin, Najafin dhe Nasiriyah.

Kjo ishte vizita e parë ndonjëherë nga një papë në Irak dhe turneu i parë i jashtë vendit i Papës që nga shpërthimi global i koronavirusit të ri (COVID-19) vitin e kaluar.

Ai u tha gazetarëve se takimi me ajatollahun e madh shiit, Ali Sistani ishte një “balsam për shpirtin”.

Papa, një ithtar i madh i bisedës së drejtpërdrejtë me përfaqësuesit e Islamit, e përshkroi takimin me Sistanin si “një bisedë private me një njeri të përulur dhe të mençur pranë të cilit ndihej i nderuar”.

“Ai nuk ngrihet kurrë për të përshëndetur një vizitor, por ai ngrihet dy herë për të më përshëndetur mua”- u tha Papa gazetarëve në aeroplan gjatë kthimit për në Romë.