"Një ditë të ndryshojmë edhe Kushtetutën" Kurti insiston te referendumi për bashkimin kombëtar
Pas Lezhës dhe Tiranës, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri i zgjedhur i Kosovës Albin Kurti është ndalur në Gjirokastër.
Nga kalaja historike e këtij qyteti, Kurti ka hedhur idenë e ndryshimit të Kushtetutës së Kosovës, për të hapur rrugën drejt Bashkimit Kombëtar me Shqipërinë.
Kurti: Ne e kemi pengesë Kushtetutën e Republikës së Kosovës por nuk është një pengesë e patejkalueshme. Neni 1.3 dhe neni 1.1 nuk janë në përputhje. Mirëpo me punë dhe angazhim, me vullnet politik dhe me dëshirën e popullit edhe duhet ta sjellim ligjin për referendum dhe një ditë edhe të ndryshojmë Kushtetutën e Republikës. Kosova dhe Shqipëria si dy shtete të të njëjtit komb të mund të integrohen dhe të bashkohen.
Kreu i Vetëvendosjes tha se ai të mërkurën, 3 mars, ka takuar presidentin ilir Meta, kryeministrin Edi Rama dhe kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha.
Pyetjes se nëse 3 kandidatët e Vetëvendosjes në Shqipëri do të bëjnë një koalicion me Partinë Demokratike, Kurti i’u përgjigj duke thënë se ata janë të pavarur dhe që po mbeshteten nga partia e tij.
Kurti: Tre kandidatë të pavarur, kandidatë të zgjedhësve të cilët ne i mbështesim, Kreshnik Merxhani në Gjirokastër, Boiken Abazi në Tiranë dhe Iljaz Shehu në Lezhë. Këta janë të pavarur dhe ne i duam për deputetë të Kuvendit të Shqipërisë që të përfaqësojnë qytetarët dhe të angazhohen për përparimin e të gjthëve sepse Shqipëria ka nevojë për zhvillim që sjell punësim dhe për drejtësi që nuk lejon korrupsion.
Albin Kurti për tre ditë me radhë është shfaqur krah kandidatëve të Vetëvendosjes në Shqipëri, që do të kandidojnë në Lezhë, Tiranë e Gjirokastër, si të pavarur.