Rama: Brenda 14 muajsh do të kryhet vaksinimi i plotë i popullsisë

Këtë të mërkurë përpara stadiumit Air Albania kishte radhë mjekësh dhe infermierësh pjesë e  listës për t'u vaksinuar.

Rreth orës 10 në ambientet e stadiumit mbërritën edhe dozat e vaksinës, makina e të cilave shoqërohej me polici.

Ndërkohë që mjekët dhe infermierët qëndronin në radhë jashtë stadiumit, rreth orës 10:30 mbërriti kryeministri Rama dhe ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastirliu.

 Pas një vëzhgimi të shpejtë të fushatës “ Shqipëria buzëqesh”, Rama deklaroi se vaksinimi do të nis edhe te moshat e treta në qendrat rezidenciale të të moshuarve në Tiranë.

Do të jenë 1000 persona të cilët pritet të vaksinohen brenda kësaj jave.

"Të vazhdojmë njëkohësisht këtu me një numër të moshuarish që janë personalitete."

Në datën 11 janar kur bëri vaksinën e parë, kryeministri foli edhe për vështirësinë e sigurimit të dozave.

"Është fakt që në një garë lypsash për vendin, e tyre, unë jam pretendent për vendin e parë."

 Kryeministri njoftoi gjithashtu se se jemi shumë afër finalizimit të marrëveshjes me AstraZenea për 360 mijë doza vaksinash. Po edhe në këtë rast nuk i kurseu batutat.

"Kombi ynë ndër shekuj nuk e zgjidhi dot dilemën se si i jepet ujë gomarit. Unë kam vendosur të bëj atë që mendoj se është e drejtë, sipas rastit e vlerëson gomari a duhert i ngrohtë apo i ftohtë. Gomari jam unë gjithmonë, se unë e mbaj ngarkesën, marr edhe të sharat, por kam një të mirë që jam gomar që e çoj ngarkesën në destinacion."

Rama pati edhe një reagim lidhur me denoncimet e familjarëve nga spitalet covid.

"I mirëkuptoj shumë më mirë atë që nga dhimbja çdo fatkeqësi ia faturojnë mjekëve, se sa ju që më pas me dhimbjen e tyre bëni propagandë."

 Në 6 strukturat spitalore covid janë duke u trajtuar 558 pacientë, nga të cilët 38 në terapi intensive dhe 16 të intubuar.