Ndëshkimet për maskën, OSHEE ka ekzekutuar 2 mijë gjoba, 30 mijë të tjera pritet të hidhen në sistem

Që nga janari OSHEE ka nisur ekzekutimin e gjobave që policia u ka vendosur qytetarëve për mosmbajtjen e maskës anti-Covid.

Që nga 15 tetori kur hyri në fuqi akti normativ për mbajtjen e detyruar të maskës në rrugë deri më sot janë gjobitur rreth 60 mijë persona.

Nga ana e OSHEE-së ka nisur menjëherë puna për ngritjen e kapaciteteve në struktura dhe orarin me dy turne.

Në muajin janar, OSHEE ka arritur të ekzekutojë 2 mijë gjoba ndërsa pritet që të hidhen në sistem dhe 30 mijë kontrata.

OSHEE nga ana e saj bën të ditur se i ka kthyer mbrapsht policisë 20 mijë gjoba për arsye të ndryshme që nga mungesa e një numri kontrate por dhe paqartësi të tjera.

Policia bën me dije se të gjitha gjobat do të ekzekutohen dhe po punohet për identifikimin e saktë të gjobave të paqarta.

Sipas policisë, në ditë janë 650-700 gjoba që vendosen për mosmbajtjen e maskës, ndërsa Tirana rezulton qyteti i parë në rang vendi për numrin më të lartë.