Plani për liri: Sajmir Petani 15 kërkesa për ulje dënimi nga gjykata, 3 vetëm brenda këtij janari

Personi që do të lirohej nga gjyqtarja e arrestuar e Krujës Enkelejda Hoxha, ka nisur përpjekjet për të dalë nga burgu që në vitin 2020. Nga shkurti i vitit të kaluar deri pak ditë më parë Saimir Petani dhe avokati i tij kanë dorëzuar 15 kërkesa në gjykatën e Krujës për ulje dënimi.  Disa prej tyre janë pranuar ndërsa në shumë raste çështjet janë mbyllur për shkak të mosparaqitjes së palës paditëse.

Gjyqtarja e Krujës, Enkelejda Hoxha, akuzohet nga SPAK që ka tentuar të lirojë nga burgu shtetasin Saimir Metani i njohur edhe me mbiemrin Tërkuci, i dënuar me 25 vite burgim nga drejtësia shqiptare, për akuzën e vrasjes së Romeo Beqirit.

Petani, pak vite më parë është ekstraduar nga Italia, duke vujuar dënimin në burgun e Fushë-Krujës.

Ora News mëson ekskluzivisht se i dënuari gjatë viteve të fundit ka depozituar një fluks kërkesash për lirim para kohe në gjykatën e Krujës.

Nga data 12 shkurt 2020 deri në 21 janar 2021, i është drejtuar me 15 kërkesa sekretarisë së gjykatës, duke kërkuar ulje dënimi, njohje amnistie dhe njohje të ditëve të burgut në Itali.

Në dokumentacionit që zotëron Ora News rezulton se kërkesa e parë që Petani ka depozituar është ajo e datës 12 shkurt 2020, duke kërkuar që dënimin e mbetur ta kryente në shtëpi.

Çështja është gjykuar nga kryegjyqtarja e Krujës, Alma Kolgjoka, por Petani dhe avokati i tij Aldo Tabaku, nuk u paraqitën në seancë duke sjellë pushimin e çështjes.

Pak ditë më vonë, Petani depoziton një kërkesë tjetër në gjykatë, duke pretenduar njohjen e ditëve të burgimit në Itali, periudhë kjo kur ai ka qëndruar i arrestuar deri në fazën e ekstradimit në Shqipëri.

Kjo kërkesë është shqyrtuar nga gjyqtarja Enkelejda Hoxha, e cila duke parë që palët nuk janë paraqitur në gjyq, ka vendosur mospranimin e kërkesës.

Në 4 mars 2020, Saimir Petani, ka kërkuar njohjen e amnistisë të vitit 2014, por edhe kjo kërkesë ka dështuar pasi, nuk është paraqitur në sallën e gjyqit.

Në 3 korrik 2020, sërisht Saimir Petani, ka kërkuar lirimin nga qelia dhe vuajtjen e dënimit të mbetur në kushtet shtëpiake.

Çështja i ka rënë për gjykim, gjyqtares Alma Kolgjoka, e cila pasi ka konstatuar se palët nuk ishin paraqitur në gjykatë, ka vendosur mospranimin e kërkesës.

Po në 3 korrik 2020, Petani depoziton një kërkesë tjetër, duke kërkuar uljen e dënimit nga periusha qershor 2019 deri në qershor 2020.

Çështja i ka rënë për gjykim, gjyqtares Ëngjëllushe Tahirit, e cila në 29 korrik 2020, ka pranuar pjesërisht kërkesën, duke ulur dënimin për Petanin, vetëm 80 ditë.

Gjyqtarja Tahiri, ka konstatuar se deri në periudhën korrik 2020, Saimir Petanit i kishin mbetur për të vuajtur dënimin dhe 2 vite e 5 muaj e 9 ditë burgim.

Pas këtij vendimi, në shtator 2020 Petani ka kërkuar uljen e dënimit nga periudha 2012 deri në periudhën 2018, por kjo kërkesë i është rrezuar pasi ai nuk është paraqitur në gjykatë.

Kërkesat e mëtejshme drejtuar gjykatës kanë vijuar për njohjen e amnistisë të vitit 2012, 2014, 2015 dhe 2016, të cilat nuk janë pranuar.

Në 18 dhjetor, Petani ka kërkuar uljen e dënimit nga periudha 14 prill 2005 deri në periudhën 14 prill 2006, për shkak të punës që kishte bërë në burg.

Kjo kërkesë i ka rënë, gjyqtares Enkelejda Hoxha, e cila ka vijuar gjykimin deri në ditën e sotme, kur dhe është arrestuar.

Sipas prokurorisë së posaçme SPAK, dyshohet se palët kanë dhënë 12 mijë euro,me qëllimin e vetëm që gjyqtarja Hoxha të pranonte kërkesën e Saimir Petanit.

Pavarësisht kësaj ky i fundit nuk mundi të lirohet nga burgu, si pasojë e ndërhyrjes në kohë nga SPAK.

Ndërkohë mësohet se vetëm në muajin Janar 2021, Petani kishte depozituar dhe tre kërkesa të tjera në gjykatë, me qëllim uljen e dënimit.

Ndërkohë që u arrestua gjyqtarja Enkelejda Hoxha ishte në hetim nga Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë për shkak të një serie lirimesh të firmosura prej saj për të dënuar për krime të rënda.

Ilir Paja, i dënuar më 17 vjet burg, Endrit Dokle, i dënuar me burgim të përjetshëm si anëtar i bandës së Durrësit, Genc Tafili, i dënuar për vrasjen e ish-kryepolicit të Shkodrës Arben Zylyftari, Hekuran Billa, i dënuar me burgim të përjetshëm në Mbretërinë e Bashkuar për një vrasje, ishin disa nga personat që fituan lirinë me vendim të gjyqtares së arrestuar së fundi nga SPAK.