Përleshet me policinë gjatë shoqërimit, arrestohet 29 vjeçari në Berat

Një 29 vjeçar në Berat është arrestuar nga policia për dhunë ndaj policisë. Në pranga ka rënë shtetasi E. D., 29 vjeç, banues në fshatin Lapardha.

"Arrestimi i tij u bë pasi në ambientet e jashtme të spitalit rajonal Berat, gjatë shoqërimit për në ambientet e Komisariatit të Policisë Berat, ka kundërshtuar punonjësit e Policisë të Njësisë Operacionale të Rendit Publik dhe ka ushtruar dhunë fizike ndaj tyre".

Policia e Beratit arrestoi gjithashtu shtetasin E. D., 37 vjeç, banues në lagjen “Kushtrim” Berat, i cili duke drejtuar mjetin tip “BMË”, pasi ka humbur kontrollin ka goditur 4 mjete që ishin të parkuara dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.  

Si pasojë është dëmtuar pasagjeri që ishte në mjetin e tij, shtetasin I. Th., 39 vjeç, banues në lagjen “30 Vjetori”, Berat, i cili është dërguar për të marrë ndihmën mjekësore në Spitalin e Traumës Tiranë. 

Pas testit të alkoolit rezultoi se drejtuesi i mjetit, shtetasi E. D. ishte në gjendje të dehur, në masën 0.78 mg/litër.

Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, për veprime të mëtejshme.