Përgjimet e antimafias italiane/ Balla "hodhi topin" nga opozita, Zhupa: Përpjekje patetike
Për të folur mbi përgjimet e antimafias italiane, të publikuara për ditë me rradhë nga RTV Ora dhe Ora Neës, e ftuara e gazetarit Xhoi Malësia ishte zëdhënësja e Partisë Demokratike Ina Zhupa.
Sipas saj, ajo që solli Ora News përmes përgjimeve të antimafias italiane nuk ishte gjë tjetër veçse një konfirmim i akuzave të PD por edhe ajo çfarë thoshin raportet vendase dhe ndërkombëtare mbi ndërtimet në Tiranë.
Zhupa shtoi se, sipas shifrave të vetë INSTAT, gjatë qeverisjes së Veliaj në Tiranë në ndërtime janë hedhur 420 milionë euro, 60% e të cilave nuk i dihet burimi.
Ina Zhupa: Ajo që na solli Ora News, përgjimet e antimafias italiane, ishte një konfirmim i asaj që ishte thënë deri më sot jo vetëm Partia Demokratike, por nga raportet ndërkombëtare, nga raportet e INSTAT, nga të dhënat se Tirana kishte një bum ndërtimesh, të cilat nuk e justifikonin paratë e ligjshme të bizneseve. Ndërkohë që bizneset në Tiranë nuk kishin patur ndonjë rritje e nuk kishte atë qarkullim të madh paraje, këtu bëhej fjalë, sipas INSTAT, në vitet e Erion Veliaj janë hedhur në ndërtim 420 milionë euro. Burimi i të cilave nuk dihet në masën 60%. Këto janë të dhëna zyrtare të raporteve që i gjen te Monitori, i gjen te INSTAT, te raportet ndërkombëtare që e fusin Shqipërinë në listën e zezë të pastrimit të parave të pista. Ishte në një farë mënyre diçka e pritshme nga ne”.
“Nuk mund të mos dijë Edi Rama ku aty përfshihet kryeministri dhe ministrat e tij, kryetari i tij i bashkisë. Po ashtu është konfirmin i atyre gjërave që kemi thënë deri tani. Kemi thënë që këta i shërbejnë një grupi oligarkësh, një grupi mafiozësh dhe jo qytetarëve”, vijoi më tej zëdhënësja e PD.
Zhupa iu përgjigj edhe deklaratave të sotme të kryetarit të Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla.
Sekretari i Përgjithshëm i selisë rozë, në prononcimin e parë pas publikimit të përgjimeve nga Ora News, hodhi topin nga kampi opozitar, duke deklaruar se eurodeputeti italian që del në përgjime është mik i Lulzim Bashës.
Ina Zhupa: Së pari, të gjitha përpjekjet e Taulant Ballës ishin shumë patetike. Kushdo e kupton që ata njerëzit që kanë dalë në përgjime dhe ata që fliten janë njerëz që duhet të merren në hetim dhe jo nëse e njohim apo nuk njohim një eurodeputet. Ne të gjithë e njohim Erion Veliajn por nuk do të merremi të gjithë nën hetim. Këto janë patetizma për të fshehur atë që këtu u zbulua korrupsioni më i madh në Shqipëri pasi të gjitha qelizat janë të kapura dhe çdo gjë është vënë në funksion.
Zhupa shtoi më tej se, "Erion Veliaj bëri një përpjekje për të dhënë sikur Antimafia italiane po ma bën kastile".
Lexo edhe:
Përgjimet, Veliaj shmang mediat, Balla nuk mohon përgjimin e Kryebashkiakut