"21 janari" drejt rihapjes? Policia e Tiranës kërkesë Prokurorisë

Një ditë para 10-vjetorit të ngjarjeve të 21 janarit, Policia e Tiranës kërkon hapjen e dosjes për këtë çështje. Përmes një kërkese kjo polici i është drejtuar Prokurorisë së Tiranës për rihapjen e "21 Janarit". Në 21 janar 2011 mbetën të vrarë në bulevard katër protestues të opozitës së asaj kohe.

Pikërisht në kulmin e debatit politik për zgjedhjet e 25 prillit, policia e Tiranës ka kërkuar rihapjen e dosjes së protestës së 21 janarit të vitit 2011.

Burimet kanë bërë të ditur se forcat e rendit kanë kërkuar riekspertizën e vrasjes së protestuesve Aleks Nika dhe Hekuran Dedjës por dhe të plagosjes së gazetarit Fatos Mahmutaj.

Te tre këto raste janë ende pa autor dhe me këtë vendim është kërkuar rishikimi i plotë i ngjarjes.

Burimet kanë bërë të ditur se një vit më parë ka qenë prokuroria, e cila ka kërkuar nga blutë që të analizojë më në hollësi ngjarjen e 21 janarit.

Megjithatë ende nuk ka detaje se cilat janë shkaqet që shtynë në këtë kërkesë.

Propozimi bëhet i ditur vetëm 1 ditë para 10 vjetorit të ngjarjes, ku në protestën e opozitës së realizuar para kryeministrisë mbetën të vrarë katër protestues.

Në vitin 2013 për ngjarjen u vendos dënimi me një vit burgim për ish-komandantin e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi dhe me 3 vjet burgim për ish-gardistin Agim Llupo.