Meta nga Selenica: Forcat politike të promovojnë kandidatë me integritet
Për të garantuar banorët e Selenicës dhe Orikumit se nuk ka krijuar asnjë pengesë për projektet infrastrukturore në këto zona, Presidenti Meta ishte të hënën në Vlorë.
"Kemi një heqje të fondeve në mënyrë jo të ndershme dhe jo transparente të këtij projekti. Mendoj që revolta dhe pakënaqësia e banorëve të Selenicës është mëse legjitime".
Ai përsëriti akuzat ndaj qeverisë për shkelje të Kushtetutës në lidhje me projektin e rrugës Vlorë-Orikum.
"Kanë kërkuar që Presidenti të noterizojë këto shkelje përmes dhënies së të drejtës së tyre për të nënshkruar një marrëveshje e cila ishte negociuar pa marrë autorizimin nga Presidenti për negociatat."
Presidenti kërkoi të bëhet transparente marrëveshja me “Pfizer” për vaksinat anti-Covid pasi do të shtonte besueshmërinë te qytetarët.
"Të gjithë institucionet duhet të bëjnë gjithçka për të rritur këtë besim përmes transparencës dhe sigurisë maksimale që i duhet ofruar publikut."
Largimet e disa prej politikanëve nga LSI-së, Kreu i Shtetit nuk pranoi t`i komentojë por nuk kurseu një këshillë për forcat politike.
"Të gjithë forcat politike të promovojnë figura të reja, figura me integritet, që luftojnë për interesin publik dhe që luftojnë çdo ditë."
Meta u përgjigj interesit të gazetarëve në lidhje me dëmtimin e rrugëve të kompanisë “Salillari”.
"Kështu është kur ai që duhet të kërkojë llogari puth në ballë ata që në vend ti bëjnë rrugët ashtu si duhet, i bëjnë ashtu siç i nxjerr shiu."
Presidenti Meta ka reaguar edhe për të larguarit së fundmi nga LSI, ku ka përmendur që një prej përfaqësuesve të LSI ka pasur probleme me dekriminalizimin, por është larguar nga partia.
Reagimi i Metës për të larguarit e LSI-së
Pyetje: Disa prej tyre kanë qenë bashkëpunëtorët tuaj dhe po kalojnë në parti të tjera. Cili është realisht mendimi Juaj, në lidhje me ikjen e tyre nga ish-partia juaj?
Presidenti Meta: Jaku janë bashkëpunëtorët e mi, zoti Milo dhe zoti Dervishaj. Ju thashë që, të gjitha forcat politike të promovojnë figura të reja me integritet, që luftojnë për interesin publik dhe luftojnë çdo ditë, që nuk i fshihen kamerave, televizioneve dhe debateve.
Sigurisht figura të pastra, pa probleme me dekriminalizimin, se ka pasur kjo forca politike LSI-ja, dhe këtu në Vlorë, një me probleme me dekriminalizimin dhe ka bërë shumë mirë që, nuk e ka mbrojtur dhe shumë mirë që është pastruar.