"Është punë atdhetare", kryeministri Rama nxit qytetarët të denoncojnë "Tiret" në shëndetësi

Skandali me sanitaren e "Shefqet Ndroqit" nuk kaloi pa vëmendje edhe në seancën e parë plenare të sesionit të ri parlamentar.

Kryeministri Rama teksa ju referua si një rast babëzie tha se personazhi ishte i neveritshëm.

Shefi i qeverisë u shpreh i kënaqur që ngjarja mori rrugë ligjore teksa inkurajoi qytetarët që të denoncojnë çdo rast korrupsioni në shëndetësi.

Rama tha se kjo është një detyrë atdhetare për të mos përbaltur punën e mjekëve profesionistë që punojnë dhe sakrifikojnë çdo ditë në përballje me virusin.

Rama: Ka  patjetër momente të trishtueshme siç ishte momenti i shfaqjes së një harbutërie dhe babëzie të pashembullt nga një personazh që ishte vërtet i neveritshëm në spitalin "Shefqet Ndroqi". Por nga ana tjetër aq sa ishte i trishtueshëm një moment i tillë, ishte dhe  pozitive që një qytetare denoncoi, që një media investigative i shkoi deri në fund procesit, që personazhi abuziv është prapa hekurave dhe mesazhi edhe me këtë rast u dha shumë i qartë. Ne jemi në gatishmëri të plotë për të bërë atë që na takon dhe për të reaguar ashtu si na takon pas çdo shfaqeje abuzive kudo qoftë por sidomos në sistemin tonë shëndetësor.

Të gjithë qytetarët të mos heshtin, të mos struken dhe të denoncojnë çdo rast të çfarëdo niveli abuzimi. Raste të një shëmtie të tillë mund të mos jenë të përditshme por në të përditshmen edhe një vonesë e shkaktuar për pak mijë lekë të vjetra është abuzim. Është e patolerueshme që një numër që është gjithësesi një pakicë e pakicës në sistemin tonë shëndetësor të njollosë bluzat e bardha të Republikës së Shqipërisë, të njollosë sakrificat e atyre që edhe jetën e humbën në këtë luftë për të shpëtuar jetë, të atyre që çdo ditë e kalojnë me rrezikun e kërcënimit të jetës së tyre dhe që vazhdojnë të rezistojnë pa pushim në vijën e zjarrit apo në cilindo pozicion ku kjo luftë e bën shumë më të mundur marrjen e virusit dhe infektimin edhe të personave më të dashur të familjeve të tyre.

Është e patolerueshme që gjithë kjo punë kolosale të njolloset nga elementë të tille por është po kaq e patolerueshme, po kaq e pajustifikueshme, po kaq e pamoralshme që kushdo që bie viktimë e këtij lloj abuzimi të heshtë. Nëse ka ende vështirësi dhe ne e kemi parë këtë në të gjitha anketimet për të denoncuar drejtëpërdrejtë në organet ligjzbatuese, nëse ka ende mungesë besimi te organet e drejtësisë, është plotësisht e justifikueshme që diskut ta ketë më të lehtë të shkojë te një media investigative. Ta bëjë këtë gjë. Kjo është puna më e mirë që një qytetar mund të bëjë sot për të forcuar edhe më shumë sistemin tonë të shëndetësisë që të përparojë më shpejt.

Është një punë atdhetare të japësh kontributin tënd për të ekspozuar një individ që ka veshur bluzën e bardhë apo flet në emër të bluzave të bardha si një sanitare dhe që në çdo moment me të gjithë ata që i dalin përpara i njllos dhe i përdhos ato bluza të bardha.I shpreh ngushëllimet e mia për humbjen të njeriut të dashur por  gjithë mirënjohjen dhe respektin qytetares që mori përsipër të hedhë hapin e denoncimit.Ky është kontribut i madh dhe i munguar i medias dhe gazetarisë sonë. Një goditje e tillë ka shumë më tepër vlerë sesa miliona llafe analizash dhe opinionesh në hava.