Pjesë e Ndrangheta-s/ 49 të arrestuar në Itali, mes tyre edhe një kryebashkiak

Një operacion policor i zhvilluar në Rosarno, Polistena dhe Anoia dhe në provincat e Messina, Vibo Valentia, Salerno, Matera, Brindisi, Taranto, Alessandria dhe Pavia ka çuar në arrestimin e 49 personave që dyshohet se janë pjesë e grupit mafioz “Ndrangheta”.

Mes të arrestuarve është edhe kryetari i bashkisë së Rosarno, Giuseppe Ida dhe një këshilltar bashkiak i së njëjtës komunë, Domenico Scriva, raporton Ora News.

Sipas hetimeve, të dy do të kishin marrë mbështetjen e klanit Pisano, të njohur si "djajtë e Rosarno", në këmbim të premtimit të pozicioneve në organet komunale për të besuarit e grupit kriminal.

Të arrestuarit gjatë aksionit “Faust” akuzohen si pjesë e një shoqate të tipit mafioz, shkëmbim elektoral politik-mafie, trafik droge, armëmbajtje pa leje, vrasje në tentativë, fajde dhe mosrespektim të dënimit, shkruajnë mediat italiane.

Nuk ka të dhëna nëse mes të arrestuarve ka edhe shtetas shqiptarë.