Përvjetori i vdekjes, rrugica "Skënderbeu" bosh sot në Romë

Është një përjetor ndryshe kujtimi i vdekjes së heroit tonë kombëtar në Itali. 

Monumentet e ndërtesat, rrugët e sheshet që mbajnë emrin e Gjergj Kasrtriot Skëndërbeu janë të boshatisura, mungojnë emigrantët shqiptarë, arbëreshët, miq italianë të Shqipërisë që cdo 17 janar nderojnë kujtimin e tij me homazhe e buqeta lulesh.

Italia prej sot ka hyrë në një regjim masash më shtrënguese kundër pandemisë globale e shumica e territorit të vendit është nën normativën e ndalimit të grumbullimeve, festave, daljeve të pamotivuara.

Rruga e Skëndërbeut në kryesqytetin italian Romë është e heshtur e bosh në këtë 17 janar 2021.

Ndodhet në zemër të Romës, aty ku gjenialiteti njerëzor ka ndalur kohën e ka krijuar ndërtesat, monumentet, sheshet më të bukura në botë. Gjatëson pak metra nga Presidenca Italiane, mjaft pranë monumentit më të bukur roman “Fontana di Trevi”, mes rrugëve që evokojnë ngjarje e histori të një prej perandorive më të fuqishme në botë.

Për të rritur deri aty, pa humbur nëpër rrugicat e shumta që derdhen në sheshe e monumente deri në zemër të Romës , udhërrëfyes të bëhet  Harku Dataria. Të con aty rruga “Panetteria” (dyqani i bukës) e quajtur e tillë nga furri i bukës që dikur furnizonte familjen papale e cila banonte në Pallatin Presidencial, jo pak metra prej aty, e shuante urinë e qindra të varfërve Harku Dataria të ofron shikimin e parë drejt sheshit Skënderbeg, e arkitektura e tij krijon kornizën natyrale të një pikture lëvizëse. Restoratnet tipike e lokalet përherë plot, sot e pjre muajsh janë të mbyllura.

Nga qepenat e një lokali në qosh vjen kënga romane: ..."Roma nun fa' la stupida stasera

Damme una mano a faie di' de si
Scegli tutte le stelle più brillarelle che c'hai
E un friccico de luna tutto pe' noi..."

Rruga "Skëndërbeg" është rruga e parë në Romë që nderon emrin e një heroi të huaj. 

Vështirësia e shqiptimit të kësaj fjale e bëri që për një kohë të gjatë romanët antike ta quanin "Scanabescchi" e banorët e lagjes që e popullojnë mendojnë se është një kardinal papal. 

Qe 12 dhjetori i vitit 1466 kur Gjergj Kastrioti mbërrin për herë të parë në Romë për të takuar Papën Paolo II. Qëllimi i tij ishte të bënte me dije gjithë botën perëndimore mbi avancimin e  ushtrisë turke, rrezikun e ardhshëm që po i kanosej Italisë, si dhe të suiiguronte një mbrojtje e ndihmë për popullsinë e krishterë shqiptare, e kërcënuar cdo ditë e më shumë nga turqit. Skënderbeu në Romë vendos raporte me tre papë: Nicola V, Callisto III, Pio II e Paolo II, e ky i fundit i jep titullin “Atlet i Krishtit”.

Prej dhjetorit të 1466 e deri në pranverë të 1467, Gjergj Kastrioti udhëton tre herë drejt kryeqytetit italian duke siguruar një ndihmë financiare prej 5000 dukatesh, garancinë e Papës për ta ndihmuar me njerëz e mjete si dhe mbrojtje e vendstrehim e tij në Pallatin San Marco. Mirëpo legjendat thotë se Princi shqiptar preferon të qëndrojë në banesën e një tregtari epirot, ajo që sot quhet Pallati “Skënderbeg” ose në një versionin tjetër që princi shqiptar ndërton këtë pallat si rezidencën e tij të ardhshme në kryeqytetin italian.

Rruga “Skënderbeg” quhet e tillë pikërisht  nga Pallati Skënderbeg, i gjendur në mes të gjarpërimit  të saj, në numrin civil 117.

Kjo ndërtesë katërkatëshe që mbi portën qëndrore ka të shkruar: “GEOR CASTRIOTA A SCANDERBEG PRINCEPS EPIRI AD FIDEM. ICONIS REST AN DOMINI MDCCCXLIII”, i përket vitit 1400,e ruan një rëndësi historike që nuk lë vend për dyshim nga vetë emri i saj.

I pozicionuar mes një lagje tipike mesjetare romane, mes ndërtesash të ‘600-800, Pallati Skënderbeg, prej të cilit kanë marrë dhe emrin rruga Sëk ndërbeg, është ndoshta një nga më të vjetrit e zonës. I ngritur në katër kate, dritaret me korniza të thjeshta që ndjekin njëra tjetrën, shohin drejt sheshit të vogël që mbush hapësirën para tij e që quhet po me të njëjtin emër “Skënderbeg”. Restaurimin e parë zyrtar ky pallat, duke u rinovuar plotësisht, e merr më vitin 1843, ashtu sic shkruhet dhe në hyrje të tij pranë pikturës së Skënderbeut. Po sipas legjendës thuhet se trashëgimtarët e Skënderbeut kanë për detyrim, ruajtjen e konservimin e kësaj pikture. 

Ndoshta kjo rrugë e ndërtesë ka qenë dikur vendtakimi i pelegrinëve të parë shqiptarë në kërkim të shpresës e  bashkimit me Europën, e sot është një pikë referimi për emigrantët shqiptarë e arbëreshë të Italisë që dhe pse në këtë 17 janar nuk mund të mblidhen e të nderojnë sic duhet kujtimin e heroit kombëtar, ndjehen pjesë e kësaj Europë që në zemër të saj mban emrin e Gjergj Kastriot Skëndërbeu.

Lexo edhe:

“Përgjithmonë ylli polar i kombit tonë” Meta kujton Skënderbeun me rastin e 553 vjetorit të vdekjes