Kukësi konfirmon Hallaçin: Lajmet për shkarkimin janë të pavërteta
Kukësi hedh poshtë pretendimet për shkarkimin e trajnerit Rrahman Hallaçi pas humbjes se hidhur me Vllazninë.
Nëpërmjet një komunikate për shtyp klubi njofton se ish-kapiteni, do të vazhdojë në drejtimin e ekipit dhe po punohet për përforcimin e skuadrës në merkaton e janarit.
“Futboll Klub Kukësi kërkon të sqarojë opinionin publik se lajmet e orëve të fundit në media, për shkarkimin e trajnerit Rraman Hallaçi janë të pavërteta. Hallaçi do të vazhdojë të jetë trajner i skuadrës dhe stafi teknik po punon për të përforcuar skuadrën në merkaton e janarit duke siguruar të gjithë se ekipi do të kthehet te rezultatet pozitivë shumë shpejt.
Trajneri Hallaçi ka besimin e klubit dhe mbështetjen e të gjithë futbollistëve në këtë moment të vështirë për skuadrën. Skuadra zhvillon sot stërvitjen e radhës për ndeshjen ndaj Apolonisë nën urdhrat e trajnerit Hallaçi.
Klubi e kupton se emri i Kukësit shton klikimet dhe rrit shitjet e gazetave por njëkohësisht kërkon nga mediat që të tregohen profesioniste dhe të mos publikojnë lajme të rreme. Klubi ka zyrën e shtypit ku mund të merret çdo informacion që keni nevojë. Para se të publikoni një lajm, jeni të lutur të siguroheni”, thuhet në komunikatën për shtyp.
Pas javës se 14 Kukësi pozicionohet ne vendin e 7 me vetëm 17 pikë te grumbulluara.