Dëmtohet tjetër rrugë e “Salillarit”, Çela denoncon punimet në aksin Çorovodë-Përmet me vlerë 1.2 mld lekë

Reshjet e shirave kanë zbuluar dhe punimet në aksin Skrapar-Përmet. Drejtuesi politik i LSI në Berat ka denoncuar dëmtimin e rëndë të aksit për të cilin në vitin 2017 u financuan 1.2 miliardë lekë. Pas realizimit të punimeve, ministrja Belinda Balluku e cilësoi një aks të ndërtuar me standard të larta.

Edhe aksi rrugor Skrapar-Përmet, i ndërtuar nga firma Salillari ka pësuar dëmtime në shtresën e asfaltit pavarësisht se për të janë dhënë 1.2 miliardë lekë.

Denoncimi është bërë nga drejtuesi politik i LSI-së në qarkun e Beratit, Ardit Çela, i cili nëpërmjet një video në rrjetin e tij social ku paraqitet dëmtimi i rëndë që kjo rrugë.

Kjo video e postuar rreth një vit më parë nga vetë firma Salillari të ofron një pamje krejt ndryshe nga ajo që është sot.

Ndërtimi i këtij sgementi nisi në prill të vitit 2017 për të përfunduar 2 vite më pas.

Në atë kohë Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, gjatë inspektimit të punimeve deklaroi se aksi në fjalë është ndërtuar me standarde të larta dhe do të ofrojë më tepër siguri për përdoruesit.

Por kanë mjaftuar pak ditë me shi që rruga të përfundojë në këtë gjendje.

Por ky nuk është aksi i vetëm i dëmtuar nga reshjet. Vetëm pak vite pas investimit edhe rruga e Borshit dhe e Vlorës në mirëmbajtje nga firma Salillari kanë pësuar dëmtime nga reshjet e ditëve të fundit.

Aktualisht rruga nacionale Llogara-Borsh është futur në lupën e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe po verifikohen procedurat dhe ndërhyrjet fizike të kryera ose jo në të.