Shpëtuan ish-zyrtarin nga prangat, mbështetësit e Abedin Oruçit nën akuzë për kundërshtim të policisë
Në Gjykatën e Kukësit u mbajt seanca për rivlerësimin e masës së sigurisë për 11 personat që kundërshtuan dhunshëm forcat e Policisë për të shpëtuar nga arrestimi ish kryetarin e Këshillit të Qarkut, Abedin Oruçi. Vetë ish-zyrtari që akuzohet se kërcënoi efektivët e Policisë me armë mbetet në arrati.
Ish-kryetari i Këshillit të Qarkut Kukës, Abedin Oruçi, që akuzohet se kërcënoi me armë efektivët e Policisë që shkuan për ta arrestuar mbetet në arrati, ndërsa personat që e ndihmuan ti shpëtojë prangosjes dolën para gjykatës.
Seanca për rivlerësimin e masës së sigurisë u mbajt këtë të enjte në Gjykatën e Kukësit nën masa të rrepta sigurie.
Eglant Ollomani, Gazmend Oruçi, Besmir Muçmata, Ermir Markaj, Zekria Shehu, dhe Behar Duraku u arrestuan, ndërsa 5 të tjerë u vunë nën hetim në gjendje të lirë.
Ata kundërshtuan forcat e policisë që shkuan për arrestuar ish-zyrtarin Oruçi në lokalin e tij, duke u përplasur dhunshëm me ta.
Masa e sigurisë u shqyrtua nga Florim Demollari, ndërsa akuza u përfaqësua nga prokurorët Rita Gjati, Edmond Karriqi dhe Enkeleda Hoxha.
Veç 54-vjeçarit Abedin Oruçi, në kërkim është shpallur edhe një person tjetër që po ashtu dyshohet se është përfshirë në kundërshtimin me dhunë të policisë.
Abedin Oruçi ishte shpallur në kërkim për tre vepra penale në tetor të vitit 2020, teksa tashmë akuzat pritet ti shtohet edhe kërcënimi e kundërshtimi i dhunshëm i forcave të policisë në krye të detyrës.