Zgjedhjet e 14 shkurtit Vjosa Osmani dhe Albin Kurti bashkojnë forcat: Do të garojmë së bashku

Presidentja e përkohshme e Kosovës Vjosa Osmani dhe kreu i VV Albin Kurti kanë dalë në një konferencë të përbashkët ku kanë njoftuar bashkëpunimin për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Osmani ka njoftuar se së bashku me Kurtin kanë arritur në një marrëveshje që përfaqëson vullnetin e qytetarëve kosovarë, duke firmosur koalicionin mes njëri-tjetrit.

Marrëveshja e arritur sot përfaqëson vullnetin e qytetarëve të Kosovës. Ju njoftojmë për bashkimin tonë që shkon përtej. Për dy dekada vendi ynë është udhëhequr nga një mendësi politike e gabuar. Për ta ndryshuar këtë, ne do të garojmë së bashku në listat që do të flasin me zërin tuaj, do të frymojë siç frymoni ju dhe do të guxojë ti bëjë ballë çdo sfide ashtu si ju. Kjo që është arritur sot shkon përtej emrave individualë apo bindjeve ideologjike.  Sepse kjo marrëveshje në fondament ka qëllimet e përbashkëta, atë të luftimit të kapjes së shtetit dhe angazhimin në rimëkëmbjen në dinjitet dhe në shtet”, ka thënë Osmani.

Ish-kryeministri Albin Kurti ka bërë me dije se më 16 janar Lëvizja Vetëvendosje do të dorëzojë listën e kandidatëve për deputet, ndërkohë që ka thënë se fushatën elektorale do ta zhvillojë së bashku me Osmanin.

Kurti ka nënkuptuar se nga ky koalicion synohet që të zgjidhet kryeministri i ri, teksa Vjosa Osmani do të mbajë postin e Presidentes.

Sot që na ndajnë 1 muaj nga zgjedhjet parlamentare në Kosovë jemi të lumtur t’ju njoftojmë se do të jemi bashkë në një listë. Presidentja në detyrë Vjosa Osmani dhe unë ish-kryeministri, në subjektet tona politike, do të na gjeni në të njëjtin vend dhe për të njëjtin qëllim. Kemi bërë marrëveshjen e parimeve dhe synimeve politike, që sapo e nënshkruam. Marrëveshje kjo për një shtet me drejtësi dhe pa korrupsion, marrëveshje për një shoqëri me drejtësi  dhe arsim për të gjithë qytetarët pa dallime, favorizime dhe diskriminime.

Në fushatën zgjedhore do të jemi dhe do të angazhohemi bashkë. Të shtunën e 16 janarit do të dorëzojmë listën e kandidatëve për zgjedhjet e 14 shkurtit 2021. Viti 2020 ka treguar se vendi ka nevojë për kryeministër të ri dhe për president të re. Ne e kemi presidenten që e ka kryer detyrën me dinjitet”, ka thënë Kurti.

Lëvizja Vetëvendosje parashikon një koalicion parazgjedhor edhe me partinë Alternativa të Mimoza Kusari-Lilës.

Shumica e partive të mëdha në Kosovë kanë shprehur bindje në forcat e veta në elektorat, ndërsa e shtuna është afati i fundit kur duhen vendosur aleancat paraprake dhe listat zgjedhore.

Lëvizja Vetëvendosje doli partia e parë në garën e tetorit 2019, dhe sondazhet e nxjerrin sërish në avantazh për zgjedhjet e reja.

Aleanca e saj me Lidhjen Demokratike të Kosovës rezultoi jetëshkurtër vitin e shkuar, ndërsa qeveria e LDK-së që pasoi më vonë u delegjitimua muajin e kaluar nga Gjykata Kushtetuese.