Arrestimi i bashkëshortit të Besa Shahinit, policia jep detaje

Dardan Molliqaj, bashkëshorti I ish-ministres së Arsimit Besa Shahini, është arrestuar ditën e sotme.

Mediat në Kosovë raportojnë se Molliqaj u arrestua gjatë një protestë të organizuar nga Përfaqësues të Partisë Socialdemokrate për shkak të qasjes që ka Policia e Kosovës ndaj partive politike për masat anti-covid.

Mes protestuesve dhe policisë ka pasur konfrontime, të cilat kanë përfunduar me arrestime të disa aktivistëve të kësaj partie.

Një nga përfaqësuesit e kesaj force politike ka thënë se nuk janë këtu për të protestuar kundër tubimeve politike, por për të protestuar kundër padrejtësisë që po u bëhen qytetarëve të Kosovës

Komunikata e plotë e Policisë së Kosovës:

Shoqërohen në stacionin policor gjashtëmbëdhjetë persona

Sot rreth orës 13:00 në rrugën “Luan Haradinaj” në Prishtinë, një grumbull personash kanë zhvilluar një aktivitet të paparalajmëruar për shkrimin e grafitevë në sipërfaqen murale të stacionit policor Qendra.

Përkundër faktit që këta persona paraprakisht janë këshilluar nga policia për veprimet e tilla të palejuara, të njëjtit duke shfaqur vazhdimisht shenja të agresivitetit, veprimeve të ulëta të kontaktit fizik me pjesëtarë të policisë, (duke tërhequr pjesëtarët e policisë), shpërfilljes së urdhrave të zyrtarëve policor si dhe pengim të tyre në kryerjen e detyrës zyrtare, kanë arritur të dëmtojnë muralet e stacionit policor me grafitet e tyre të vendosura aty.

Duke u gjendur në rrethana të tilla, policia ka shoqëruar në stacionin policor 16 prej tyre dhe aktualisht të njëjtit janë duke u proceduar në fazën preliminare.

Së këndejmi është njoftuar edhe prokurori i shtetit i cili bashkërisht me policinë po koordinohen për veprimet vijuese që konsistojnë në zbardhjen e të gjitha rrethanave që karakterizojnë ngjarjen, përpara masave të mëtejme në procedurë.