Biznesmeni Allmuça mohon përfshirjen në konfliktin e armatosur, thotë se është në gjyq me ortakun e pallatit

Administratori i shoqërisë “Star Construction shpk”, Albert Allmuça, mohon të jetë përfshirë në konfliktin me armë me ortakun e tij Sino Llanaj ditën e sotme, 13 janar, në kantierin e ndërtimit në rrugën “Ndre Mjeda” në Tiranë.

Në një deklaratë për mediat, “Star Construction shpk”  thotë se pas marrjes së informacionit se disa persona kishin sulmuar rojet e kompanisë private të sigurimit të kantierit, z. Allmuça u paraqit menjëherë pranë komisiariatit nr. 2 për t’u informuar për ngjarjen.

Në vijim të deklaratës, Kompania “Star Construction shpk” sqaron se  është investitore dhe zbatuese e vetme e punimeve në kompleksin e banimit në territorin e zones kadastrale Nr.8220, me numra pasurie 7/336, 7/259, dhe 7/260, midis rrugeve “Ndre Mjeda” dhe “Babe Rexha”, Tiranë, e pajisur me leje përkatëse ndërtimi nga Bashkia Tiranë.

Më tej thuhet, se "në fillimin e punimeve kompania “Star Construction shpk” ka kryer një kontratë bashkëfinancimi me “Llanaj Ndërtim shpk” për të siguruar një pjesë të punimeve në kompleks. Të drejtën ekskluzive për të nënshkruar kontratat e shitjes së apartamenteve dhe njësive të shërbimit i përket shoqërisë “Star Construction shpk”".

Për mospërmbushje të detyrimeve që rrjedhin nga kontrata e bashkëfinancimit nga ana e shoqërisë “Llanaj Ndërtim”, si dhe për lidhjen e kontratave të prenotimit të ambjenteve të banimit apo shërbimit me palë të treta, subjektet iu drejtuan gjykatës dhe prokurorisë së Tiranës.

Në shkallën e parë  është marrë vendimi se " Llanaj Ndertim shpk” i detyrohet 260 milionë lekë të reja “Star Construction shpk”.

Ky vendim është ankimuar dhe pritet që të shqyrtohet nga Gjykata e Apelit për të marrë formën e prerë dhe dhënë zgjidhje problemit të krijuar për qytetarët.

Në konfliktin  e regjistruar paraditen e sotme në zonën e ish parkut të Autobusëve që degjeneroi më pas dhe në përdorimin e armëve u plagos një kalimtar si dhe roja i pallatit që ka ndërhyrë për të shuar sherrin.

Deklarata e plotë

Në lidhje me informacionet e publikuara sot në disa media në lidhje me një konflikt të ndodhur në rrugën “Ndre Mjeda” në Tiranë, dëshirojmë të sqarojmë si më poshtë vijon:

Administratori i shoqërisë “Star Construction shpk”, Z. Albert Allmuça, nuk ka qënë prezent në asnjë moment ditën e sotme në kantierin e ndërtimit. Pas marrjes së informacionit se disa persona kishin sulmuar rojet e kompanisë private të sigurimit të kantierit, z. Allmuça u paraqit menjëherë pranë komisiariatit nr. 2 për t’u informuar për ngjarjen. Cdo informacion, i cili ka shoqëruar ngjarjen e sotme duke implikuar shoqërinë “Star Construction shpk”, dhe administratorin e saj, ka qënë dashakeqas me qëllim prishjen e imazhit të shoqërisë dhe administratorit Z. Allmuça, i cili ushtron aktivitetin e tij me korrektësi në fushën e ndërtimit që prej viti 1994.

Në respekt të së vërtetës dhe mbrojtjes ligjore për cënimit të imazhit publik, kërkojmë që mediat tuaja të përgënjeshtrojnë informacionet e pasakta dhe t’i referohen burimeve zyrtare për këtë ngjarje si dhe dokumentacionit përkatës, të cilat mund të vendosen në cdo kohë në dispozicionin tuaj.

Në lidhje me marrëdhënien juridike me shoqërinë “Llanaj Ndërtim shpk”, sqarojmë se:

Kompania “Star Construction shpk” është investitore dhe zbatuese e vetme e punimeve në kompleksin e banimit në territorin e zones kadastrale Nr.8220, me numra pasurie 7/336, 7/259, dhe 7/260, midis rrugeve “Ndre Mjeda” dhe “Babe Rexha”, Tiranë, e pajisur me leje përkatëse ndërtimi nga Bashkia Tiranë.

Në fillimin e punimeve kompania “Star Construction shpk” ka kryer një kontratë bashkëfinancimi me “Llanaj Ndërtim shpk” për të siguruar një pjesë të punimeve në kompleks. Të drejtën ekskluzive për të nënshkruar kontratat e shitjes së apartamenteve dhe njësive të shërbimit i përket shoqërisë “Star Construction shpk”.

Për mospërmbushje të detyrimeve që rrjedhin nga kontrata e bashkëfinancimit nga ana e shoqërisë “Llanaj Ndërtim”, si dhe për lidhjen e kontratave të prenotimit të ambjenteve të banimit apo shërbimit me palë të treta, subjektet iu drejtuan gjykatës dhe prokurorisë së Tiranës.

Gjykatë e Tiranës me vendimin nr.1416, datë 02.03.2020 të gjykatës Tiranë, njohu vlerën e detyrimit prej 260 milionë lekë të reja të “Llanaj Ndertim shpk” ndaj “Star Construction shpk”. Ky vendim është ankimuar dhe pritet që të shqyrtohet nga Gjykata e Apelit për të marrë formën e prerë dhe dhënë zgjidhje problemit të krijuar për qytetarët.

Ngjarja e sotme është në vazhdën e një sërë veprimesh të kundraligjshme ndaj punonjësve të kompleksit, nga z.Llanaj apo persona të tjerë të orkestruar prej tij.

Duke qëndruar në krah të qytetarëve të prekur nga kjo ngjarje e rëndë, mbetemi në pritje të vendimmarrjes të shpejtë dhe të drejtë të institucioneve të drejtësisë dhe ato ligjzbatuese. 

Për informacione të mëtejshme mund të kontaktoni me “Norma Legal Studio”, e cila mund t’ju vendosë në dispozicion edhe të gjithë dokumentacionin e nevojshëm.