Thikë dhe drogë me vete, arrestohet në Korçë 27-vjeçari nga Tirana

Policia e Korçës arreston në flagrancë një 27-vjeçar, i cili qarkullonte me armë të ftohtë dhe lëndë narkotike me vete.

Siç mëson Ora News, bëhet fjalë për shtetasin Redjon Jaho, ndërsa në cilësinë e provës materiale iu sekuestrua një thikë dhe një sasi e dyshuar kanabis gati për shitje.

"Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë kanë goditur një rast të veprimtarisë së paligjshme në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R. J., 27 vjeç, banues në Tiranë.

Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, shërbimet e Policisë e kanë ndaluar këtë shtetas, në lagjen nr. 11, Korçë, dhe gjatë kontrollit fizik i kanë gjetur një thikë metalike dhe një sasi me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale", njofton Policia e Korçës.