"Vizitë elektorale", Nesho: Rama te Erdogan, si vasali që shkon në perandori

Kryeministri Edi Rama mbyll sot vizitën e tij dy-ditore në Turqi, me ftesë të presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Sipas diplomatit Agim Nesho, ish ambasador i Shqipërisë në OKB, kjo ishte një vizitë elektorale dhe e mirëllogaritur nga kryeministri, ndërsa shtoi se, gjatë takimit u dhanë mesazhe të gabuara.

Agim Nesho: Marrëdhëniet që kanë arritur në këtë pikë kanë vazhduar për një kohë të gjatë. Me ardhjen në pushtet, kryeministri Rama tre vizitat e para, para se të merrte “bekimin” e parlamentit të Shqipërisë vajti në Stamboll ku diskutoi me qeverinë turke, me presidentin Erdogan. Mori menjëherë politikën e tij të jashtme dhe e implementoi në politikën shqiptare. Ne të gjithë e dimë që vitin e parë, në çdo takim diplomatik që bënte duket sikur ishte një vasale e Turqisë. Politika e Davutoglu, zero problemet me fqinjët, ishte politika zyrtare e Turqisë. Pati reagime. Erdhi presidenti Erdogan, vizitoi Kosovën, të gjithë Ballkanin. Shpalli politikën e tij të një perandore neo-Otomane. Tha, Kosova që është zemra e Shqipërisë është Turqi dhe Turqia është Kosovë. Nuk u ndje njeri.
Duke shfrytëzuar fenë ai beson se Shqipëria, Kosova, Bosnja, Maqedonia e Veriut janë një zgjatim natyral i perandorisë.

Kjo vizitë la shijen e hidhur të një vasali që vete në perandori. Dhe po të shikojmë historinë, sulltanatet, fuqitë perandorake i trajtojnë vasalët e tyre në këtë mënyrë se dy gjëra u sigurojnë: lavdinë, pushtetin që ta mbajnë për një kohë të pakufizuar. Së dyti, merren vetëm me ta, nuk merren me popullin. Dhe së treti u sigurojnë komfortin e pasurive të tyre personale.

Turqia nuk është një demokraci perëndimore dhe nuk mund të ketë transparencë për një politikan siç janë vendet e BE. Prandaj, në një farë mënyrë përkojnë interesat.

Kjo ishte një vizitë elektorale. E personalizuar nga të dy liderët”.

Lexo edhe:

VIDEO/ Rama në Ankara, ja si e pret Erdogan