Arrestimi i aktivistëve në Hong Kong, Sekretari i Shtetit Pompeo paralajmëron sanksione
Arrestimi i aktivistëve pro demokracisë në Hong Kong mund të ndëshkohet me sanksione nga ShBA-ja. Gjithashtu sekretari amerikan i Shtetit njoftoi dërgimin e ambasadoren amerikane në OKB për vizitë në Tajvan. Kina reagoi ashpër dhe paralajmëroi se ShBA-ja do të paguajë për çdo gabim.
Uashingtoni po konsideron vendosjen e sanksioneve ndaj Hong Kongut pasi aty autoritetet arrestuan mbi 50 aktivistë të të drejtave të njeriut. Gjithashtu sekretari i Shtetit Mike Pompeo tha se do të dërgojë ambasadorin amerikan në OKB të vizitojë Tajvanin, një deklaratë që nxiti reagimin e fortë të Pekinit dhe paralajmërim për kundërpërgjigje.
Sekretari Pompeo u shpreh i tmerruar nga arrestimet në Hong Kong, përfshirë të një qytetari amerikan: “ShBA-ja nuk do të tolerojë asnjë ndalim apo kërcënim arbitrar të qytetarëve amerikanë.”
Policia e Hong Kongut arrestoi të mërkurën 53 aktivistë pro demokracisë, midis tyre edhe një avokat amerikan.
“Shtetet e Bashkuara do të konsiderojnë vendosjen e sanksioneve dhe kufizimin e individëve të tjerë që kërcënojnë popullin e Hong Kongut,” tha Pompeo.
Në të njëjtën deklaratë Pompeo lajmëroi se ambasadoren amerikane në OKB Kelly Craft do të vizitojë Tajvanin, një veprim simbolik për një vend jo anëtar të Kombeve të Bashkuara që vetëqeveriset në mënyrë demokratike dhe konsiderohet si një provincën e Kinës.
I ashpër erdhi reagimi nga Pekini. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Hua Chunying tha se komentet e sekretarit Pompeo janë ndërhyrje e pastër në punët e brendshme të një vendi tjetër dhe Kina i dënon ato me forcë. “Kina do të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të mbrojtur sovranitetin dhe interesat e sigurisë,” u tha Hua gazetarëve, ndërsa paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara do të paguajnë një çmim të lartë për çdo gabim.