Ekskluzive/ Veç Elonës edhe 2 persona të tjerë nën hetim për vrasjen e çiftit Pasho
Shqiptarja 36 vjeçare Elona Kalesha është për momentin i vetmi person i arrestuar me akuzën e vrasjes së dyfishtë, fshehjen e dhunimin e kufomave të çiftit Shpëtim e Teuta Pasho të gjetur pas 5 vitesh zhdukje në 4 valixhe të hedhura pranë autostradës Firenze-Pisa.
RTV Ora ka zbardhur ekskluzivisht se Gjykata e Firenzes gjatë orëve të fundit ka futur në regjistrin e personave nën hetim dhe dy persona të tjerë të dyshuar si bashkëpunëtorë në këtë vrasje e që për motive hetimi nuk mund të informohet identiteti i tyre.
Në dosjen hetimore Prokurori i hetimeve paraprake ka mbështetur tezën se Elona nuk mund të ketë vepruar e vetme si në ekzekutimin e krimit ashtu dhe në gjymtimin, fshehjen e hedhjen e valixheve.
Gjithashtu burimet e RTV Ora kanë zbardhur se pak orë më parë në Gjykatën e Rishqyrtimit të Firenzes, avokati i Elona Kalesha ka depozituar kërkesën për rishqyrtimin e masës së arrestit me burg për 36 vjeçaren shqiptar duke u shprehur e motivuar kundër kësaj mase të fortë.
Në pritje të ekspertizës
RTV Ora ka mësuar gjithashtu se në Gjykatën e Firenzes, ende nuk ka mbërritur rezultati i raportit mjeko ligjor mbi trupat e gjetura në katër valixhet si dhe analiza shkencore e Policisë në dy apartamentet e vënë nën sekuestro, apartamenti ku çifti Pasho jetonte deri para zhdukjes së tyre më 2 nëntor 2015 e apartamenti ku Elona Kalesha jetonte me ish të fejuarin e saj Taulant Pasho, djali i Shpëtim e Teuta Pasho.
Elona hesht
Sipas prokurorëve të çështjes Elona Kalesha e cila nuk ka pranuar ende të flasë, nuk ka dhënë deri më sot një rindërtim ndryshe të zhvillimit të ngjarjeve, nga ato çka ka prezantuar pala akuzuese.
Përveç dëshmive të komshive të cilët kanë rrëfyer se pak ditë pas zhdukjes së çiftit Pasho një vajzë shqiptare me karakteristikat fizike të Elonës është parë duke dalë nga apartamenti me valixhe që kullonin një lëng të kuqërremtë, kundër 36 vjeçares shqiptare janë dhe elementë të tjerë si fakti që ajo tre ditë pas zhdukjes së çiftit vendosi të braktisë me shpejtësi apartamentin ku jetonte Shpëtim e Teuta Pasho të cilin e kishte marrë me qera në emër të saj.
Elona është larguar nga apartamenti pa tërhequr kurrë paratë e depozitura si garanci tek pronari i shtëpisë si dhe duke lënë një valixhe me rroba personale.
Një tjetër element që fajëson Elonën në këtë krim makabër është se zbardhja e bisedave telefonike të saj me Viktoria Pasho, një nga dy vajzat e ciftit Pasho. Elona shtyn Viktorian të mos rrëfej të vërtetën nëse do merrej në pyetje nga prokurorët italianë, e të gënjente mbi banesë ku prindërit e saj kishin fjetur natën e 1 nëntorit duke u gdhirë 2 nëntori 2015.
Mënyra e ekzekutimin të këtij krimi makabër e bën Elona Kalesha-n një person mjaft të rrezikshëm për prokurorët italianë, fakt që rëndohet dhe me zbardhjen e lidhjeve të saj e përfshirjen me një rrjet kriminal shqiptar, që dyshohet të jenë dhe bashkëpunëtorë e ndihmësit e saj në këto vrasje.
Për RTV ORA avokati ka deklaruar sot se "Elona është këmbëngulëse të provoj se nuk ka asnjë lidhje me këtë krim".