Nis sot shpërndarja e vaksinës Pfizer/Biotech në Itali

Në Itali nis sot furnizimi masiv i dozave të vaksinës Pfizer/Biotech. 

Ministria italiane e shëndetësisë ka konfirmuar se prej datës 29 dhjetor deri më 31 dhjetor 2020 do të shpërndahen në të gjithë territorin kombëtar 469 500 dozat e kësaj vaksine, parashikuar  në bazë të marrëveshjes së Pfizer e me Bashkimin Evropian.

Këto doza do të shpërndahen drejtpërdrejtë nga kjo kompani farmaceutike në 203 qendrat e vaksinimit të ngritura në territorin italian e në marrëveshje me autoritetet drejtuese lokale. 

Moti i keq me reshje dëbore e erë të fortë që ka përfshirë gjatë orëve të fundit Italinë, ka krijuar vonesa në shpërndarjen e dozave të vaksinës në disa rajone kryesisht veriore të vendit. 

Në rajonin Liguria, Pfizer ka informuar se stuhia e borës ka penguar nisjen e furgonave me rreth 15 600 doza vaksine që duhet të mbërrijnë në 14 qendrat e vaksinimit të këtij territori. Por Pfizer ka garantuar se po impenjohet që brenda datës 30 dhjetor të mundësoj furnizimin e 75% të dozave në Liguria e 25 % të tjera brenda datës 31 dhjetor.

Sipas Ministrisë italiane të Shëndetësisë kontratat me shtëpitë farmaceutike për furnizimin me vaksinat janë menaxhuar nga Komisioni Europian për llogari të çdo vendi anëtarë të BE. 

Italisë i takon të furnizohet me 13.4% të kuotave të çdo vaksine me të cilat do të furnizohen vendet evropiane.

Italia do të marrë 26.9 milionë doza vaksine nga kontrata me Pfizer/Biotech, prej të cilave 8 milionë e 749 mijë doza do të mbërrijnë brenda tremujorit të parë të vitit 2021.

Plani i vaksinimit parashikon që Italia të marr gjithashtu 40.4 milionë doza nga vaksina AstraZeneca, 50.8 milionë nga Johnson& Johnson, 10.8 milionë nga Moderna, 40.4 milionë nga Sanofi e 30.9 milionë nga Curavac.