“Mesazh” me tre plumba, pronarit të lokalit në Lezhë në 2014 i vranë nipin

Sulmi me armë ndaj një lokali në Pllanë të Lezhës mëngjesin e sotëm dyshohet se ishte një mesazh i qartë kriminal për pronarin e objektit, Gjovalin Prendi, të cilit 6 vite më parë i kanë ekzekutuar një nip. Hetimet janë përqëndruar tek veprimtaria e të birit dhe të afërmve të tjerë jashtë vendit.

Një lokal u sulmua me armë zjarri në Pllanë të Lezhës mëngjesin e së shtunës, pak minuta pasi përfundoi orari i ndalim qarkullimit.

Ndaj biznesit në pronësi të Gjovalin Prendit, u qëllua tre herë me pistoletë në pjesën e tij ballore.

Në atë kohë lokali ishte i mbyllur ndaj nuk pati as të lënduar, por sulmi konsiderohet si një mesazh për pronarin.

Ky i fundit në dëshminë e parë në polici mësohet se ka deklaruar se nuk ka konflikte me askënd.

Por Gjovalin Prendi rezulton të jetë xhaxhai i Taulant dhe Aurel Prendit të cilëve ju bë atentat me armë zjarri në shkurt të vitit 2014.

Nga të shtënat mbeten të vdekur Klodian Ndreca dhe Taulant Prendi si dhe u plagos vëllai i tij Aurel Prendi.

Sulmi u shënua pranë Urës së Milotit, ndërsa ende edhe sot e kësaj dite mbetet ngjarje e pa zbardhur.

Ndaj pavarësisht pretendimeve të Gjovalin Prendit, pista kryesore e hetimit për sulmin në lokal është përqëndruar tek veprimtaria e djalit dhe nipërve të tij jashtë vendit.

Kjo pistë u hetua edhe për atentatin e vitit 2014, por nuk dha asnjë rezultat në identifikimin e autorëve.

Ekspertët kriminalistë, kryen veprime në vendngjarje, por veç tri gëzhojave mësohet se nuk kanë gjetur shumë prova që mund të çojnë drejt autorit të sulmit.

 Puna vështirësohet edhe nga fakti se në zonë nuk ka kamera sigurie.

https://www.youtube.com/watch?v=1f2huMoTiv8&feature=emb_title